“NGA JANARI DO TË RRITEN PAGAT NË SEKTORIN PRIVAT”
Që nga viti 2020, kur filloi pandemia Covid-19, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpenzuar mbi dy miliardë euro burime financiare për masa kundër krizës të destinuara për qytetarët dhe kompanitë.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, në emisionin Klan Debat, duke folur për pakon e fundit të masave antikrizë të miratuar javën e kaluar nga Qeveria.
“Ne 662 milionë euro thamë se do i adresojmë deri te disa grupe të veçanta, këtu përfshihen nxënës dhe studentë, ka edhe një grup qytetarësh nga kategoritë e rrezikuara dhe personat me aftësi të kufizuara. Por sigurisht këtu së bashku me pensionistët hyn edhe sektori privat, ku 155 milionë euro janë të destinuara për mbështetjen e qytetarëve, pensionistëve dhe bujqve dhe 492 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat. Ne kemi siguruar një paketë mjaft të madhe financimi për sektorin privat”, tha Fatmir Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua edhe një risie të prezantuar nga Qeveria, konkretisht masës financiare që do të rezultojë në rritje të pagave në sektorin privat.
“Që nga paga e janarit do të sjellim një risi, do t’i mundësojmë sektorit privat që t’i rrisë pagat nga minimumi tre mijë në 10 mijë denarë, për të cilat nuk do të ketë kontribute dhe kjo paraqet përpjekjen tonë në luftën kundër ekonomisë joformale, por edhe rritjen e pagave në sektorin privat. Kjo masë është mirëpritur edhe nga Odat Ekonomike”, tha Bytyqi.
Sa i përket pensionistëve, Bytyqi tha se rreth 185 mijë pensionistë do të përfitojnë nga masat e ndryshme ekonomike që kemi miratuar dhe këta janë kryesisht pensionistë që i përkasin kategorive të rrezikuara. Masat për pensionistët vlejnë nga dhjetori./KlanMacedonia