Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka shkuar në Izrael pas pjesëmarrjes së tij në Këshillin e 30-të të Ministrave të OSBE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i DASh, Matthew Miller, në platformën X, ku shtoi se Blinken do të ketë takime me liderët e Izraelit por edhe autoritetet palestineze në Bregun Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, ai do të diskutojë përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
Një ditë më parë Blinken është pritur në takim nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Gjatë takimit, ata kanë diskutuar për reformat e vazhdueshme demokratike në Maqedoninë e Veriut. Kështu ka njoftuar vetë sekretari amerikan.
“U takova me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani në Shkup. Shpreha mbështetjen për reformat e vazhdueshme demokratike të Maqedonisë së Veriut dhe mirënjohjen për udhëheqjen e Ministrit të Jashtëm Osmani për Ukrainën si kryesues i OSBE-së”, ka shkruar Blinken.
Në organizimin në Shkup do të marrë pjesë edhe ministri rus i Jashtëm, Sergei Lavrov,
Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.