Takimi me ministrat e Jashtëm, në fokus shtimi i trupave në Kosovë
Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë, por edhe për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit.
Përpara nisjes së këtij takimi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e lidhur dhe me ngjarjet e ndodhura në 24 Shtator në veri të Kosovës.
“Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”.
Sakaq ai theksoi rëndësinë që ka për NATO-n siguria e stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
“NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbajtur ose për të siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”.
Më 27 Nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ka paralajmëruar se në takim do diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.
Debati për Ballkanin do të mbahet pasditen e së mërkures, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Jozef Borrell.
Tv Klan