Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nga sot e deri më 29 nëntor do të qëndrojë në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Sipas njoftimit të Departamenti Amerikan i Shtetit, aty përfshihet edhe takimi i parë i ministrave të jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë.
Ndërkaq, ndër temat e këtij udhëtimit të Blinkenit, pritet të jetë edhe Ballkani Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Bruksel, Belgjikë nga 27-29 nëntor 2023 për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke përfshirë takimin e parë të ministrave të jashtëm të Këshillit NATO-Ukrainë”.
“Sekretari Blinken do të theksojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus, do të theksojë mbështetjen tonë për demokracinë dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojë prioritetet për Samitin e Uashingtonit në korrik 2024”, thuhet tutje në njoftim.