Lirohen pa pengesa grupi i tretë i pengjeve e të burgosurve

Kryeministri Netanjahu viziton trupat në Gaza e zotohet ta çojë luftën deri në fund

Ndonëse e rrethuar nga ushtria izraelite, dorëzimi i grupit të tretë të pengjeve tek Kryqi i Kuq u bë në Gazën Veriore. Rituali u përsërit, kësaj here pa pengesa. Në ditën e tretë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve ndodhi sipas parashikimit. Hamasi ia dorëzoi Kryqit të Kuq, kësaj here militantët palestinezë liruan 13 pengje izraelite, tre tajlandeze dhe një me kombësi ruse.

Dymbëdhjetë nga pengjet u shoqëruan nga Kryqi i Kuq. Ata u transferuan nga Gaza Veriore në Izraelin jugor. Katër të tjerë u dërguan në Egjipt nëpërmjet vendkalimit Rafah dhe prej andej u nisën për në Izrael. Një peng i liruar që u kthye në Izrael u dërgua menjëherë në spital me helikopter, sipas ushtrisë izraelite. Ky i fundit është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mes të liruarve një katër vjeçare izraelito-amerikane. Avigail Idan ishte vetëm tre vjeç në kohën kur u mor peng nga shtëpia ku prindërit e saj u sulmuan dhe u vranë nga persona të militantët e Hamasit. Avigail u arratis nga shtëpia gjatë sulmeve. Familja fqinje Brodutch gjeti vogëlushen dhe e strehoi, por edhe kjo familje u rrëmbye më vonë nga Hamasi.

Lot gëzimi dhe duartrokitje shpërthyen në hollin e një hoteli në veri të Tel Avivit në minutat e fundit, ndërsa pamjet e para të pengjeve u shfaqën në ekran. Personat që qëndrojnë në këtë hotel janë të gjithë ish-banorë të kibucit Kfar Azës, shtëpia e pengjeve të liruar.

Nga autoritetet izraelite të burgjeve u njoftua se grupi i tretë i personave të liruar përfshin 39 fëmijë palestinezë, shumica e  tyre nga Jerusalemi. Gjatë ditës pati dyshime se lirimi i pengjeve nga Hamasi mund të shtyhej për shkak se forcat izraelite të sigurisë vranë një fermer palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Brenda Qendrës së Komandës Kombëtare të Katarit, në Doha, diplomatët e Katarit monitorojnë armëpushimin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit. Këtu dhoma e operacioneve e Katarit që monitoron armëpushimin dhe lirimin e pengjeve dhe ka linja komunikimi të drejtpërdrejta dhe në kohë reale me Izraelin, zyrën politike të Hamasit në Doha dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Pushimi i parë i luftës shtatë javore është menduar të shoqërohet me lirimin e 50 grave dhe fëmijëve pengje të kapur nga militantët më 7 tetor, në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Ndërsa ndodhte lirimi pengjeve, kryeministri Benjamin Netanyahu, vizitoi trupat në Gaza. Duke folur me ushtarët dhe komandantët, ai pa një tunel të zbuluar. Netanyahu tha se po bëhet “çdo përpjekje” për të rikthyer të gjithë pengjet.

“Ne kemi tre qëllime për këtë luftë: eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë të pengjeve tanë dhe garantimin që Gaza të mos bëhet më një kërcënim për shtetin e Izraelit”. Duke iu drejtuar vendit, ai tha: “Qytetarë të Izraelit: Do të vazhdojmë deri në fund, deri në fitore”.

Ndërkohë një kolonë prej 200 kamionësh me ushqime, ujë dhe sende për strehim e furnizime mjekësore hyri sot në Gazë. Kolonës iu bashkuan gjithashtu gjashtë ambulanca. Hyrja e tyre në enklavë u bë nën shoqërimin e OKB-së. Tensioni mbetet i lartë në Bregun e pushtuar Perëndimor. Palestinezët në qytetin Jenin u dhanë lamtumirën pesë të vdekurve dhe panë dëmet e shkaktuara nga një sulm izraelit.

Ushtria izraelite tha se bastisi Jeninin për të arrestuar një palestinez të kërkuar nën dyshimet për përfshirje në një pritë vdekjeprurëse në gusht, si dhe 20 të dyshuar të tjerë.

Brigadat Jenin, një grup i armatosur lokal, tha se luftëtarët e saj luftuan me trupat izraelite. Nuk u dhanë menjëherë detaje për viktima, por dëshmitarët thanë se të paktën një nga palestinezët e vrarë në Jenin ishte anëtar i njohur i Brigadave. Gjashtë palestinezë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në Jenin, tha ministria palestineze e shëndetësisë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share