Hamasi e liron grupin e dytë të pengjeve pas një dite të tensionuar

Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – i liroi të shtunën vonë 17 pengje, përfshirë 13 izraelitë nga Rripi i Gazës, derisa Izraeli i liroi 39 të burgosur palestinezë në ditën e dytë të një armëpushimi katërditor.

Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye në orët e vona të së shtunës, pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit.

Kjo vonesë e theksoi brishtësinë e armëpushimit, i cili e ka ndalur një luftë që e ka tronditur dhe dridhur Izraelin, ka shkaktuar shkatërrim tejet të madh në Rripin e Gazës, si dhe ka kërcënuar me përshkallëzimin e luftës në tërë rajonin.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disa javore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur.

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara, është pauza e parë e gjatë në luftime prej se nisi lufta.

Në përgjithësi, Hamasi i ka liruar së paku 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur.

Izraeli ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet për një ditë shtesë për çdo 10 pengje të liruara, por është zotuar se do ta rifillojë shpejt ofensivën dhe t’i përmbushë synimet për kthimin e të gjitha pengjeve dhe shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Çështja e pengjeve e ka marrë vëmendjen e popullit izraelit. Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Tel Avivit të shtunën për t’u solidarizuar me pengjet dhe familjet e tyre.

Shumë prej tyre e akuzojnë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, se nuk po bën mjaftueshëm për t’i kthyer në shtëpi pengjet.

Zyra e Netanyahut njoftoi të dielën herët se e ka marrë një listë të re të pengjeve të cilat do të lirohen sot gjatë ditës në fazën e tretë dhe të katërt të këmbimit. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share