SAMITI OSBE-së MË 30 NËNTOR DHE 1 DHJETOR NË SHKUP
Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka dhënë leje Ministrisë së Jashtme, sic njofton KlanM, për të vendosur nëse do të hiqet ndalesa për fluturimin e avionit rus që do të mundësojë aterimin në Shkup të delegacionit rus, duke llogaritur edhe Ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov, për Këshillin Ministror të OSBE-së që duhet të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.
”Përmes këtij plotësimi, Qeveria u dha autorizim ministrive kompetente që vetë të mund të vendosin për dhënien e lejes për fluturimin dhe aterimin e avionit rus gjatë mbajtjes së takimit ministror. Plotësimi është në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja” – thonë nga MPJ.
Megjithatë, sic percjell KlanM, ende nuk ka konfirmim nëse Lavrovi do ta kryesojë delegacionin rus. Burime diplomatike të OSBE-së, sipas njoftimeve, kanë thënë se në Shkup pritet të mbërrijë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Marija Zaharova.
Paraprakisht Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, kishte deklaruar se Lavrovi në fillim të nëntorit i ka dërguar letër, ku sic thuhet, ka shfaqur interes dhe kërkesë që të sigurohet prezenca e tij në Shkup.
Por, krahas Maqedonisë së Veriut, leje për fluturimin e delegacioinit rus duhet të japin edhe Bullgaria ose Greqia.
Këshilli Ministror i OSBE-së, sic percjell KlanM, shihet si ngjarje kyçe ku do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen duke marrë parasysh bllokimet e vazhdueshme të Rusisë pasi nisi invazionin në Ukrainë.
Nga Ministria e Jashtme, thonë se Vitin që po e lëmë pas Maqedonia e Veriut, si kryesuese e OSBE-së, luajti rol kyç në skenën politike ndërkombëtare.
“Përgjatë këtij viti, derisa po kryesojmë OSBE-në, Maqedonia e Veriut ka respektuar fuqishëm parimet dhe angazhimet e OSBE-së, me qëllim që si vend të kontribuojmë për paqen dhe sigurinë, dhe përmes përvojës sonë autentike gjatë dekadave tu ofrojmë ndihmë dhe mbështetje atyre të cilëve kanë më së shumti nevojë për ndërmjetësim dhe mirëkuptim në zgjidhjen e problemeve të tyre” – tha Bujar Osmani.
Një nga sfidat kryesore të Samitit të Shkupit, sic percjell KlanM, do të jetë gjetja e vendit që do ta merr kryesimin nga Maqedonia e Veriut për vitin e ardhshëm. Përvec kësaj do të duhet konsensusi për plotësimin e katër pozitave të rëndësishme në Organizatë. Mandati i funksionarëve aktual skadon më 4 dhjetor të këtij viti. /KlanMacedonia/