Nga samiti i Diasporës i zhvilluar në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se duhet që 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të jetë festë kombëtare edhe në Shqipëri.
Duket se sugjerimin kreut të qeverisë ia ka dhënë Presidenti Bajram Begaj.
Aktualisht e festuar si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Rama tha se beson se edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’ia dërgojë këtë sugjerim kryeministrit të saj, Albin Kurti.
“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të Presidentit të Republikës unë dua përfundoj këtë fjalë në funksion të frymës së këtij samit dhe në funksion të asaj që thashë, rëndësia e madhe që ka që jemi bashkë, të shikojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri. Është në fakt diçka e çuditshme, por prapë është forca e një njeriu, e Arbën Xhaferrit që nuk jeton më, por pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 Nëntori të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri. Patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ia japë sugjerimin Kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”, u shpreh Rama./tvklan.al