U shënua 115-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 16-vjetori i themelimit të ITShKSh-së

Me praninë e korit diplomatik dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe akademike, ITShKSh sot shënoi 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 16-vjetorin e themelimit të Institutit.

Drejtori Skender Asani, veçoi faktin se sivjet për herë të parë në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, u bënë bashkë tri akademitë e shkencave të rajonit tonë, të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke i folur njëri-tjetrit në gjuhën e shkencës dhe albanologjisë.

Ndërkaq, duke ndarë një falënderim të veçantë për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e dhënë, ai theksoi se në këtë 16-vjetor të themelimit, ITSHKSH ka arritur të shndërrohet në një institucion që arrin të “shkrijë, unifikojë dhe  përbrendësojë të gjitha virtytet e homobaklanikusit”.

Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë, Artan Grubi, theksoi se kjo ditë ka peshë të rëndësishme kombëtare, e në veçanti për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët me përpjekje të mëdha arritën që hap pas hapi të  legalizojnë një ditë feste të rëndësishme kombëtare në shtetin ku jetojnë si dhe ta kurorëzojnë atë me çmimin 22 Nëntori që u ndahet profesionistëve të shquar kombëtarë shtetërorë për të arritur deri në pikën ku ndodhemi sivjet, kur të gjitha aktivitetit dedikuar Kongresit të Manastritit mbulohen krejtësisht nga Qeveria e RMV-së.

Më tej, përfaqësues të korit diplomatik që morën fjalën në këtë ngjarje solemne, madje duke folur në gjuhën shqipe, si ambasadori i Austrisë – Marin Pammer dhe ambasadori i Çekisë – Jaroslav Ludva. Fjalë rasti pati edhe ambasadori i Kosovës – Florian Qehaja dhe zëvendësambasadorja e Francës – Emanuelle Gardille. Ndërkaq, të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, si përfaqësues i një institucioni, thesari i trashëgimisë së të cilit kontribuon dukshëm në punën e ITSHKSH-së.

Me këtë rast u përurua dhe pulla postare me figurat e motrave Qiriazi, me ç’rast mori fjalën drejtoresha e përgjithshme e Postave të Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi. Manifestimi u mbyll me fjalimin e stërmbesës së Sevastie Qiriazit dhe Kristo dakos, Rozi Dako, e cila kishte ardhur nga Italia për ta nderuar këtë aktivitet kulturor. Nderimi i ditës së Kongresit të Alfabetit do të vijojë këtë pasdite në Muzeun e Alfabetit ë Gjuhës Shqipe në Manastir me ekspozitën me dokumente dhe fotografi “Qiriazët – themeltarët e arsimit kombëtar”, në bashkëpunim me Kolegjin “Qiriazi” nga Tirana.

Këtij manifestimi, shije të ëmbël i dhanë tingujt e zërave të korit të fëmijëve “Fluturat”, në dirigjimin e Arjana Kuriu-Grubi, që interpretuan disa këngë tematike, mes të cilave dhe Himinin e Alfabetit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share