Gjermania mbështet deklaratat e Stoltenberg, Rohde: Mandati i NATO-s në Kosovë s’ka ndryshuar

Deklarata e së hënës e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të trupave sipas ambasadorit gjerman në Kosovë Jorn Rohde është përkrahje për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ai këtë deklaratë e ka quajtur qëndrim të fortë të NATO-s, megjithatë sipas tij mandati i NATO-s nuk ka ndryshuar.

Jorn Rhode: Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar. NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri.

Stoltenberg gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se pas sulmit të Banjskës, NATO është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.
Pas këtij sulmi janë vendosur 1000 trupa shtesë në Kosovë.

Shumica e serbëve që jetojnë në katër komunat veriore nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe janë përplasur shpesh me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë. Sulmi i Shtatorit nga kriminelët serbë ku u vra polici Afrim Bunjaku ishte sulmi më i serioz ndër vite.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosyr në Kosovë që nga viti 1999 pas përfundimit të bombardimeve dhe  përfshin mbi 4,500 trupa nga 27 vende.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share