Një ditë pas kualifikimit në Kampionatin Europian të Futbollit, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, shpreh lumturinë dhe krenarinë e tij nëpërmjet një postimi në Instagram. Sigurimi i një vendi në Euro 2024, për trajnerin brazilian “është pa diskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerëzve, ëndrrës së një Kombi”.
“Lumturi dhe krenari e madhe. Sigurimi i një vendi në EURO 2024 është pa diskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerëzve, ëndrrës së një Kombi. Pjesëmarrja në një moment të tillë gëzimi për popullin shqiptar është një burim i jashtëzakonshëm kënaqësie”, shkruan Sylvinho, ndërsa nuk i kursen falenderimet.
“Faleminderit e mia shkojnë për shumë njerëz: për futbollistët, të cilët kuptuan dhe mbështetën idetë tona dhe gjithmonë luajtën me shpirt dhe zemër. Për pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, të cilët punuan intensivisht dhe u kujdesën për çdo detaj gjatë të gjithë këtij rrugëtimi. Për drejtuesit dhe punonjësit e Federatës, që kanë bërë gjithçka që puna jonë të bëhej në perfeksion. Për fansat, për mbështetjen e tyre jetike brenda dhe jashtë shtëpisë tonë. Për familjen time, që janë baza e gjithçkaje që bëj dhe më japin mbështetje që të bëj punën time me dashuri dhe dedikim! Për këdo që direkt apo indirekt ka qenë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme. Euro 2024 është këtu tani. Forca Shqipëri”, shkruan trajneri i kuqezinjve.
Shqipëria kthehet në Europian pas 8 vitesh madje duke patur shansin që ta mbyllë edhe në vendin e parë në grupin kualifikues. Kombëtarja arriti të marrë pikën që duhej për të qenë në Euro 2024 pas barazimit 1 – 1 të premten në fushën e Moldavisë.
Një arritje e madhe e Kuqezinjve që të drejtuar nga braziliani Sylvinho bënë mrekullinë duke mundur konkurrencën e përfaqësueseve me përvojë në të tilla turne si Polonia dhe Çekia. Tani mbetet ndeshja me Ishujt Faroe që do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Air Albania” dhe për ta mbyllur në krye të grupit duhet vetëm 1 pikë./tvklan.al