Izraeli paralajmëron banorët që të evakuojnë zonat jugore të Gazës

Qyteti i Gazës vijon të sulmohet nga forcat izraelite. Këto të fundit kanë paralajmëruar njerëzit në disa qytete në zonën Khan Younis që të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në strehimore, raporton BBC.

Ndërkohë Khan Younis është qyteti më i madh në Gazën jugore, ku njerëzit u larguan pasi iu tha të evakuonin veriun.

Forcat izraelite mbrëmjen e të mërkurës hodhën fletëpalosje mbi katër qytete konkretisht Bani Shuhaila, Khuzaa, Abassan dhe Qarara, të cilat ishin shtëpia e më shumë se 100,000 njerëzve përpara se jugu të mbingarkohej me njerëz të zhvendosur.

“Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoni menjëherë vendbanimet tuaja dhe të drejtoheni në strehimore të njohura. Kushdo pranë terroristëve ose objekteve të tyre vë në rrezik jetën e tyre dhe çdo shtëpi e përdorur nga terroristët do të jetë në shënjestër,” thuhet në fletëpalosje, sipas Reuters. .

Kujtojmë që javë më parë, fletëpalosje të ngjashme u hodhën mbi Gazën veriore përpara se Izraeli të niste ofensivën e tij tokësore.

Në Tetor, popullsia e Khan Younis shkoi nga 400,000 banorë në më shumë se një milion, ndërsa qindra mijëra u larguan nga Gaza veriore.

Mijëra njerëz të zhvendosur tani po jetojnë në kampe të improvizuara, spitale dhe terrene shkollore në Khan Younis./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share