Makineria që vrau Anilën 26-vjeçare u ndez gabimisht nga një kolege?

Makineria ambalazhuese që vrau shqiptaren Anila Grishaj, duke i shtypur vertebrat e qafës u aktivizua gabimisht nga një kolege në punë, ndërkohë që 26-vjeçarja, duke përfituar nga fakti se ishte e fikur, po kryente kontroll. Kështu shkruajnë mediat italiane këtë të mërkurë për ngjarjen tragjike të ndodhur një ditë më parë në Montello të Trevisos, në një ndërmarrje të produkteve të ngrira (Lexo më shumë).

Për këtë arsye, mësohet se prokuroria e Trevisos ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia. Makineria në fjalë, e blerë së fundmi është sekuestruar nga hetuesit, ndërkohë që pritet që të kryhet autopsia mbi trupin e 26-vjeçares. Pritet po ashtu që autoritetet të analizojnë kamerat e sigurisë që kanë regjistruar të gjithë ngjarjen.

Megjithatë për hetuesit duket se nuk ka dyshime sa i takon përgjegjësisë për ngjarjen tragjike.

Ndërkohë, gjatë orëve të mbrëmjes të së martës, jashtë ndërmarrjes ku punonte shqiptarja mësohet se pati momente tensioni. Kjo pasi sipas mediave fqinje, familjarët e Anilës nuk ishin njoftuar për humbjen e vajzës së tyre. Nën shok, babai i saj ulërinte nga dëshpërimi.

Anila jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain në Vergoman di Miane. 26-vjeçarja punonte prej 5 vitesh tek Bocon, kompaninë në të cilën ishte bërë nëndrejtoreshë. Përpara se t’i dedikohej punës, shqiptarja kishte studiuar në institutin turistik Verdi të Valdobbiadene.

“Jemi thellësisht të tronditur nga tragjedia që na ka prekur. Ishim shumë të lidhur me Anilën e cila ishte me ne prej kohësh dhe që ishte shumë e çmuar për cilësitë e saj njerëzore e profesionale. E dimë që dhimbja jonë është asgjë përpara asaj që po vuajnë prindërit e njerëzit e saj të afërt, Jemi në dispozicion të plotë për të sqaruar deri në fund arsyet e këtij aksidenti”, tha në një reagim ndërmarrja ku punonte e reja./tvklan.al


Lexo gjithashtu
Total
0
Share