Uzbekistan: Adoleshenti dënohet me burg për fyerje ndaj presidentit Mirziyoev

Një 19-vjeçar është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë rajonale në Samarkand të Uzbekistanit, i akuzuar për koment fyes ndaj presidentit të vendit, Shavkat Mirziyoev, në rrjetet sociale.

Dilshod Iskandarov u akuzua se e kishte fyer presidentin duke komentuar në një video të familjes presidenciale – anëtarë të së cilës zënë pozita politike dhe biznesore me ndikim apo fitimprurëse në regjimin klanor – të postuar në rrjetin social Instagram.

Ai u dënua më 26 tetor për “fyerje apo përgojim të presidentit në publik”.

Mirziyoev me familje.

Iskandarov është më i fundit nga së paku tre uzbekë që janë dënuar në vitin e fundit në bazë të klauzolës penale për fyerje apo përgojim të presidentit.

Ai thuhet ta ketë fshirë komentin në Instagram pasi ishte paralajmëruar nga të afërmit e vet për rrezikun e mundshëm.

Mirziyoev e fitoi një mandat të ri shtatëvjeçar në zgjedhjet e pasfiduara në korrik.

Në gusht, Mirziyoev, e emëroi vajzën e vet, Saida Mirziyoev, si sekretare të presidentit.

Saida, 38 vjeçe, u bë personi i dytë në administratën presidenciale pas babait të vet Shavkat Mirziyoev.

Pozita e saj si sekretare është e barabartë me pozitën e shefit të administratës së presidencës.

Emërimi i të afërmve në pozita shtetërore me ndikim është gjë e zakonshme në vendet autoritare të Azisë Qendrore. Në Turkmenistan, presidenti Serdar Berdymukhammedov e pasoi babanë e vet, Gurbanguly Berdymukhammedov.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share