Njohës të çështjeve ndërkombëtare po vlerësojnë se pranimi për ta nënshkruar marrëveshjen bazike të Brukselit dhe aneksin zbatues të Ohrit, nga ana e institucioneve e ka vendosur palën kosovare në një avantazh.
Madje sipas tyre, kjo është hera e parë që kryeministri Albin Kurti “ka lozur në mënyrë pragmatike dhe diplomatike”. Ata thonë se anëtarësimi i Kosovës në BE është shumë i rëndësishëm, por që nuk është i mundur pa njohjen e pesë shteteve anëtare, duke e quajtur këtë më të rëndësishme se njohjen nga Serbia.
Profesori universitar, Dritëro Arifi, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje, por sipas tij, me pranimin e nënshkrimit të marrëveshjeve nga ana e palës kosovare, në këtë rast Kosova ka arritur marrëveshje me Perëndimin.
“Nga ana tjetër është e vërtet që në nënshkrimi i kësaj marrëveshje do ta ndihmonte Kosovën, por edhe pa nënshkrim do ta ndihmojë Kosovën prapë. Në kuptim e asaj varet se çfarë marrëveshje bën Kosova me Perëndimin, kjo është çështje tjetër krejt tash. Po vërehet që Kosova me Serbi nuk kanë marrëveshje, por po vërehet që Kosova ka vetëm me Perëndimin një marrëveshje bilaterale Kosovë-perëndim, apo multilaterale”, tha ai.
Sipas tij, në këtë rast qëllimi i Kosovës duhet që të jetë njohja nga pesë vende e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke shtuar se kjo është me rëndësishme se sa njohja nga shteti serb.
“Tash ta shohim perëndimi çka i premton Kosovës pra nëse Kosova e zbaton këtë marrëveshje në formëmultilaterale çka përfiton, sepse qëllimi gjithmonë është të ajo njohja tek pesë vendet e BE-së, nëse kemi njohjen e pesë vendeve të BE-së, atëherë defaktorizimi i Serbisë ndodhë automatikisht. Është e panevojshme njohja nga Serbia nëse kemi njohjen nga pesë vendet e BE-së. Kurti për herë të parë ka lozur në mënyrë pragmatike dhe diplomatike. Obligimeve nuk mund t’i ik as Kosova as Serbia”, tha ai.
Profesori universitar, Avni Mazrreku, tha se anëtarësimi i Kosovës në BE po pengohet nga vetë unioni, kjo pasi sipas tij, Kosova nuk mund të anëtarësohet në BE pavarësisht arritjeve e sukseseve që mund t’i ketë pa njohjen e pesë vendeve anëtare.
Ai tha se kjo parashihet me traktatit të Lisbonës, traktatit mbi të cilit funksionon BE-ja aktualisht, duke shtuar se në mungesë të njohjeve nga këto pesë shtet, anëtarësimi është ambicie imagjinare.
“Anëtarësimi i Kosovës në BE është pengesë ekskluzive e vetë BE-së. Vetë procesi përkatësisht shtytja e procesit të dialogimit me Serbinë është problem i BE-së. Kosova nuk mund të anëtarësohet, kur po them është problem i BE-së, kur po them që Kosova nuk mund të anëtarësohet në BE asnjëherë pavarësisht arritjeve, pavarësisht sukseseve, pavarësisht të themi edhe arritjes të njohjes nga ana e Serbisë, Kosova prapë nuk mund të anëtarësohet në BE për vetë mënyrën e sjelljes së BE-së në raport me Kosovën, pse është kjo. Sipas traktatit të Lisbonës, traktatit mbi të cilit funksionon BE-ja aktualisht shtet nuk mund të anëtarësohen në BE deri sa nuk e njohin të gjitha shtet anëtare të BE-së”, tha ai.
Mazreku tha se për normalizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, hapi i parë që do të duhej të merrej nga ana e BE-së do të duhej t’i siguronin Kosovës njohjen nga këto pesë shtet.
“Sepse politik e zgjerimit dhe politika e jashtme nuk janë kompetencë e dorëzuar në organet superacionale të BE-së, por janë kompetencë e shteteve anëtare, prandaj nuk mund të ketë shtete të reja në BE të cilat shtete nuk janë njohur nga ana e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Për normalizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE hapi i parë nga ana e BE-së do të duhej të ishte njohja nga këto pesë shtet. Prandaj ideja që Kosova do të anëtarësohet në BE në mungesë të njohjeve nga këto pesë shtet është ambicie imagjinare”, tha ai.