Ligjvënësit duhet të miratojnë ndihmat për Ukrainën, Izraelin dhe fondet për kufirin SHBA-Meksisë para 17 Nëntorit
Qeveria amerikane rrezikon që të mbyllet sërish. Kongresi që të shmangë një mbyllje të mundshme duhet të miratojë një projekt-ligj për ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe financimin e masave shtesë të sigurisë në kufirin ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës para 17 Nëntorit.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të kalojnë një listë të plotë prej 12 projektligjesh për vitin fiskal 2024, e cila filloi më 1 Tetor. Pasi të miratohen, të dy dhomat do të duhet të bien dakord përpara se t’ia dërgojnë Presidentit Joe Biden për nënshkrimin e ligjit. Por zyrtarë të administratës së Presidentit Biden kanë paralajmëruar ligjvënësit amerikanë se dështimi për të miratuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë Ukrainës ndihma në vlerë prej 61.4 miliardë dollarësh, mund të çojë në fitoren e presidentit rus Vladimir Putin brenda javës.
Disa ligjvënës republikanë janë shprehur kundër ndihmave shtesë për Ukrainën, ndërkohë që borxhi i Shteteve të Bashkuara mbetet i lartë dhe në një kohë kur fondet mund të përdorën për nevoja të brendshme.
“Duhet të vazhdojmë të investojmë në zgjerimin e industrisë së mbrojtjes të Amerikës, për të zëvendësuar armatimet që i kemi dërguar Ukrainës me armatime të reja, si dhe për të plotësuar nevojat tona dhe për të shtuar prodhimin e armatimeve që iu duhen partnerëve tanë Izraelit, Tajvanit dhe aleatëve në rajonin e Indo-Paqësorit,” ka deklaruar udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.
Sipas analistëve administrata e Presidentit Biden ka bërë të ditur se nëse ndihma për Ukrainën në luftën kundër Rusisë duhet të menjëhershme dhe nëse nuk arrihet kompromisi, i vetmi që do të fitojë do të jetë Putin dhe Ukraina do të bjerë brenda javës.
Miliona punonjës federalë mund të përballen me pagesa të vonuara kur qeveria mbyllet, duke përfshirë shumë nga afërsisht 2 milionë personel ushtarak dhe më shumë se 2 milionë punëtorë civilë në të gjithë vendin. Disa zyra federale gjithashtu do të duhet të mbyllen dhe nënkupton shkurtimin e disa programeve, disa fonde që do të përdoreshin për përmirësimin e rrugëve, urave dhe aeroporteve. Mbyllja më e gjatë e qeverisë ndodhi midis 2018 dhe 2019 kur presidenti i atëhershëm Trump dhe demokratët e Kongresit hynë në një ngërç mbi kërkesën e tij për financim për një mur kufitar. Ndërprerja zgjati 35 ditë, gjatë sezonit të festave, por ishte gjithashtu vetëm një mbyllje e pjesshme e qeverisë.
Klan News