Sekretari amerikan u shpreh se partnerët duhet të rrisin presionin ndaj Moskës
Teksa ndodhet në Korenë e Jugut, Sekretari amerikan Antony Blinken dhe ministri i jashtëm Park Jin ndanë shqetësimet rreth rritjes së bashkëpunimit ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Blinken dhe Park thanë gjithashtu se ata diskutuan për të punuar së bashku për të zbatuar të ashtuquajturën strategji të zgjeruar parandaluese për të luftuar kërcënimet nga Koreja e Veriut dhe rritjen e ndihmës humanitare për civilët palestinezë në Gaza.
“Ndajmë shqetësime të thella për bashkëpunimin ushtarak në rritje dhe të rrezikshëm të Koresë së Veriut me Rusinë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë mesazhin e qartë që Presidenti Yoon dha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rreziqet e atij bashkëpunimi. Kërkojmë që edhe partnerët e tjerë të intensifikojnë presionin ndaj Moskës për të mos transferuar municione ushtarake në Phenian, në kundërshtim me rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit”, deklaroi Blinken.
Në bisedimet me Presidentin Yoon Suk Yeol , Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken diskutoi kërcënimin në rritje që paraqet Koreja e Veriut dhe ofrimin e supozuar të saj të pajisjeve ushtarake dhe municioneve për Rusinë për ta ndihmuar atë në luftën kundër Ukrainës. Ata folën gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Kore e Jugut për sfidat globale, duke përfshirë vendosmërinë e Kinës dhe paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.
Park i kërkoi një rol më të madh SHBA-VE për të marrë masa ndaj Phenianit duke argumentuar se bashkëpunimi mes Koresë së Veriut dhe Rusisë mund të destabilizojë rajonin.
“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të ndërpresë menjëherë të gjitha provokimet. Aleanca Kore e Jugut-SHBA do të vazhdojë përpjekjet që Koreja e Veriut të braktisë zhvillimin e saj bërthamor dhe raketor. Ky është një mesazh i fortë i aleancës për t’iu përgjigjur me vendosmëri çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut”, tha Park Jin.
Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me predha artilerie dhe municione të tjera në muajt e fundit, sipas zyrtarëve amerikanë dhe Koresë së Jugut dhe dyshojnë se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mund të kërkojë teknologji ruse dhe ndihma të tjera nga Moska për të përmirësuar ushtrinë. Presidenti i SHBA Joe Biden pritet të takohet me liderin kinez Xi Jinping javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Azi-Paqësor në San Francisko. Ndërkaq gjatë bisedimeve dypalëshe, rreth 30 persona protestuan përpara ministrisë së jashtme të Koresë së Jugut për të kërkuar një zgjidhje paqësore të konfliktit Izrael-Gaza. Vizita dyditore e Blinkenit në Korenë e Jugut është e para e një Sekretari amerikan në dy vitet e fundit, që do të përfshijë një ndalesë edhe në Indi./KlanNews