Vlerësohet organizimi i zgjedhjeve të 14 Majit, kritika për reformën zgjedhore
Komisioni Evropian vëren progres të moderuar në disa fusha në Shqipëri për vitin 2023. Në raportin prej 144 faqesh, të siguruar nga Klan News, Brukseli vlerëson ecurinë e mirë të reformës në drejtësi, por kërkon thellimin e punës së SPAK në dënimin e korrupsionit politik, por edhe krimit të organizuar.
“Pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë një numër dënimesh të nivelit të lartë dhe hetime financiare në nivel të lartë, sërish mbetet një fushë me shqetësim serioz. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat për parandalimin e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”.
Sipas raportit, efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe aksesi në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i dosjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të shkallës së parë.
Komisioni Evropian e sheh të polarizuar skenën politike shqiptare për shkak të përçarjes brenda opozitës. “Aktiviteti parlamentar vijoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare”.
Teksa vlerëson organizimin e zgjedhjeve të 14 Majit si të qeta, por me një pjesëmarrje të ulët, Komisioni Evropian është kritik me ecurinë e ngadaltë të reformës zgjedhore.
“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”.
Brukseli shprehet pozitivisht për angazhimin e autoriteteve shqiptare ndaj objektivit strategjik të integrimit në BE dhe ambicien për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit bazuar në progresin e vazhdueshëm në reformat janë deklaruar vazhdimisht si prioriteti kryesor i vendit. Por në të njëjtën kohë kërkohet më shumë pune për përafrimin e ligjeve me Bashkimin Evropian.
Pritet që në Dhjetor shtetet anëtare të vendosin për nisjen e shqyrtimit të kapitujve të parë të negociatave.
Klan News