Drejtori i Drejtorisë së doganave, Stefan Bogoev dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Doganor të Republikës së Koresë, Kwanyang Ko zhvilluan një takim në selinë e Doganës Koreane në Seul, ku njoftuan fillimin e realizimit të grantit prej 4.8 milionë dollarësh për zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi për menaxhimin e rreziqeve dhe depon e të dhënave.
Bogoev së bashku me ndihmësdrejtorët Mazhenkovski dhe Veterovski janë në një vizitë pune dyditore në Shërbimin Doganor të Republikës së Koresë, e cila realizohet në kuadër të Memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar së fundmi me Doganën e Koresë.
“Implementimi i këtij sistemi do të ndihmojë në përmirësimin e efektivitetit të Drejtorisë së doganave, gjegjësisht grumbullimin e më shumë parave në buxhet, të jemi partner me komunitetin e biznesit dhe të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, i cili sërish kontribuon në të hyrat e buxhetit”, tha Bogoev.
Vendimi për dhënien e grantit nga Qeveria e Koresë vjen pas një analize trevjeçare të Doganës së Maqedonisë së Veriut, pas së cilës u vendos që si liderë në rajon, granti t’i ndahet pikërisht Drejtorisë së Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, drejtori i përgjithshëm Kvanjang Ko përshëndeti përpjekjet e Doganës së Maqedonisë së Veriut për të rritur efektivitetin e Doganës dhe krijimin e kushteve për konkurrencë më të madhe të ekonomisë maqedonase.
Gjatë takimit, Bogoev theksoi përkushtimin e vendit tonë në procesin integrues në BE dhe vendosjen e themeleve për funksionimin e një tregu të vetëm.
“Qëllimi strategjik është që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, që do të thotë se kufijtë e Maqedonisë së Veriut do të jenë kufijtë e BE-së. Kjo nënkupton edhe harmonizim të plotë të legjislacionit tonë me rregulloret evropiane. Në të njëjtën kohë, ne vazhdimisht punojmë për transformimin e plotë digjital të Drejtorisë së doganave dhe implementimin e sistemeve të rejasi dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese të TI-së në përputhje me sistemet e BE-së”, thekson Bogoev.
Gjatë ditës së nesërme do të nënshkruhen Memorandumet e Bashkëpunimit, të cilat do të hapin mundësi të reja për mbështetje financiare.