Në organizim të Komunës së Çairit, sonte u mbajt Akademia “Ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992”, ku u përkujtua vrasja e tre qytetarëve të pafajshëm shqiptar Safet Sejfullahu, Sulejman Memishi dhe Shemsedin Ibrahimi, si dhe plagosja dhe arrestimi i shumë shqiptarëve të tjerë 31 vite më parë.
Në prani të familjarëve të viktimave të Ngjarjeve të Bit Pazarit, kryetari i Komunës Visar Ganiu tha se është obligim i ynë kombëtar që të mos i harrojmë ngjarjet ku është derdhur gjaku shqiptar.
“Sepse, historia jonë, fatkeqësisht ka një përmbajtje të dhimbshme. Ne, jemi mësuar të bashkëjetojmë edhe me dhimbjen. Por, kjo dhimbje nuk na penguar, përkundrazi na ka motivuar të qëndrojmë, t’i luftojmë padrejtësitë dhe të ecim para, duke u përballur me shumë sfida. Por, asnjë dhunë, asnjë brutalitet nuk arriti që të na thyejë shpirtërisht, përkundrazi treguam se ne jemi vetëm në anën e së drejtës, treguam se ne nuk e ndërtojmë ardhmërinë mbi fatkeqësinë e askujt”, tha me këtë rast Ganiu.
Ai vuri në dukje se ka qenë një papërgjegjësi e të gjithë neve që për shumë vite nuk e kemi përkujtuar këtë ngjarje, e cila ka lënë vraga të pashlyeshme te të gjithë ne në përgjithësi dhe te familjet e tyre në veçanti. “Dhe kjo papërgjegjësi natyrisht se nuk mund të arsyetohet. Por, ndoshta një ngushëllim të zbehtë mund të gjejmë te thënia: më mirë vonë se asnjëherë. Si Komunë e Çairit e morëm këtë nismë dhe bashkë me familjarët e atyre që pafajësish humbën jetën krijuam Këshillin organizativ dhe arritëm këtu ku jemi tani, në përkujtimin e kësaj ngjarje të trishtueshme. Tash e tutje, këtë ngjarje do ta përkujtojmë vit pas viti. Jam i bindur se këtë përkujtim do ta vazhdojnë edhe ata që do të vijnë pas nesh. Do të bëjmë përpjeke që këtë ngjarje të jetësojmë edhe si botim, si libër, pse jo edhe në formë elektronike, u shpreh Ganiu, për të shtuar se gjithsesi, kjo ngjarje, por edhe ata që u flijuan, duhet të kenë edhe një monument, që gjeneratat e ardhshme të mos e harrojnë, por edhe t’u tregojë se dhuna dhe brutaliteti nuk i përkulin ata që luftojnë kundër padrejtësive.
Në emër të familjarëve të viktimave të ngjarjeve të Bit Pazarit para të pranishmëve u drejtua Muhijedin Sejfullai, ndërsa për aspektin historik foli historiani Muzafer Rexhepi. Programi ishte i begatua me prozën e shkrimtarit Ramadan Zejneli, që u recitua nga artistja Valdeta Ismaili, si dhe kënga “Krisi pushka në Bit Pazar” në interpretim të Nexhat Sumës që ua kishte kushtuar pikërisht këtyre ngjarjeve në vitin 1992.