Osmani: VMRO-DPMNE pengon luftimin e korrupsionit në vend!

OSMANI PËR OPOZITËN SHQIPTARE: ËSHTË MIRË QË BASHKOHEN

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani gjatë emisionit Klan Debat mohoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë qenë marrëveshje me VMRO – DPMNE-në, për t`u mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Madje ai thotë se, ndryshimet në kodin penal, ai i sheh si mundësi për rritje të kapaciteti në luftën kundër korrupsionit . Sipas Osmanit, VMRO DPMNE me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese po pengon luftën kundër korrupsionit.

“Kur të hapet kapitulli 23 dhe 24 ju duhet çdo ditë të raportoni në BE se sa procese gjyqësore i keni nisur, sa procese gjyqësore i keni përfunduar me sukses, cilit nivel politik janë ata. Do të thotë, ndizet çdo reflektor i BE-së nuk mbetet asnjë kënd i pandriçuar në luftën kundër korrupsionit. Prandaj këto ndryshime kushtetuese janë aq të rëndësishme për njerëzit. Tash si opozita del dhe flet, pretendon kinse është për luftën kundër korrupsionit dhe nga ana tjetër pengon hapjen e kapitujve” – tha Osmani.

Duke komentuar bashkimin e opozitës shqiptare, Osmani tha se partitë e reja shqiptare nuk kanë kauzë të mirëfilltë, por janë krijuar nga pakënaqësitë personale.

Në Klan Debat, Osmani u shpreh se përçarja e votuesve shqiptarë në shumë parti nuk është gjë e mirë, prandaj është mirë që disa parti bashkohen, duke aluduar në Lidhjen Europiane për Ndryshim të krijuar së fundmi mes Lëvizjes Besa, Alternativës dhe Lëvizjes Demokratike.

“Në aspektin tekniko-administrativ është mirë që bashkohen sepse vërtet është shumë shije e keqe përçarja e shqiptarëve në parti të vogla edhe e shpërndajnë trupin votues, por këto janë shumë të vegjël për t’i krahasuar e për t’i dalë ballë kauzës së Ali Ahmetit dhe BDI-së. janë dy liga të ndryshme” – tha Osmani.

I pyetur nëse BDI do të garojë në zgjedhje me lista të përbashkëta, Osmani tha se BDI është e gatshme të garojë në çfarëdo forme, qoftë e vetme apo në lista të përbashkëta me subjekt tjetër, por kjo çështje sipas tij, ende nuk është diskutuar dhe nuk ka vendim momental. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share