DELEGATËT DO TA KENË FJALËN E FUNDIT
VMRO-DPMNE-ja ka procedurë serioze të brendshme dhe përmes organizimit të konventës zgjedhore delegatët do të vendosin për zgjidhjen më të mirë për Maqedoninë. Në këtë mënyrë lideri i VMRO-DPMNE-së, është përgjigjur në pyetjen se në cfarë mënyre do të zgjidhet kandidati presidencial i kësaj partie dhe nëse do të jetë burrë apo grua.
“Në të kaluarën si parti kemi dëshmuar se kemi perspektiva të qarta për kandidatët presidencial. VMRO-DPMNE ka procedurë serioze të brendshme përmes organizimit të konventës zgjedhore që është një dispozitë statutare. Delegatët do ta japin mendimin e tyre. Pres të ketë kandidatë gra dhe burra dhe delegatët do të vendosin për zgjidhjen më të mirë për Maqedoninë”, tha Hristijan Mickoski.
Ndryshe, Gordana Siljanovska – Davkova, deputete aktuale dhe profesore e së drejtës kushtetuese dhe ish-deputeti gjithashtu profesor i së drejtës kushtetuese, Aleksandar Spasenovski, janë pjesë e emrave që në VMRO-DPMNE përmenden si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.
Edhe pse nuk është e konfirmuar, sipas mediave, të dy, me siguri se do të jenë pjesë e listës me 22 emra për të cilët partia bën matjen e rejtingut si kandidat potencial për President të vendit, përcjellë KlanM.
Siljanovska -Davkova në vitin 2019 në garën presidenciale humbi nga Stevo Pendarovski./KlanMacedonia