Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim kanë akuzuar BDI-në dhe Ali Ahmetin duke e pyetur se sa vite i kanë falur ish kryeministrit Nikolla Gruevski me ndryshimet në Kodin Penal.
“Fatkeqësisht, vazhdojmë të jemi dëshmitarë të lojës së pushtetit e udhëhequr nga LSDM dhe BDI për ‘shpëtimin e Gruevskit’. Ditë më pare ish kryeministri Nikolla Gruevski u lirua nga ndjekja penale në lëndën “Trajektorja” për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, ku buxheti i shtetit u dëmtua me plotë 155 milionë euro, ndërsa tani duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të Kodit Penal, Prokuroria kërkon që Nikolla Gruevski të lirohet edhe nga ndekja penale në lëndën “TNT” në të cilën për hakëmarje politike është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë prej 11 milion Euro.
Të dashur qytetarë, nuk duhet të jesh as analist e as politikan për ta kuptuar që ky ndryshim i Kodit Penal u bë vetëm dhe vetëm në shërbim të Gruevskit, Mijallkovit, Jankullovskës e të tjerëve si ata. Rezultati është në pah. Përpiqen që gjithçka të justifikojnë me integrimin evropian, kurse qytetarët nuk përfitojnë asgjë përveç amnestisë së kriminelëve.
E dimë që qytetarët nuk meritojnë të zgjohen çdo ditë duke parë në faqen e parë të gazetës, se sot u lirua nga kjo lëndë Gruevski, sot u lirua nga lënda tjetër Mijallkovi, por kur në pushtet ke njerëz që kanë nuhatur fundin e tyre, është e natyrshme të shohësh përpjekje të tilla për të gjetur shpëtim.
Prandaj qytetarët duhet të dijnë që këtë dhuratë e kanë nga BDI dhe Ali Ahmeti dhe se do të vazhdojmë të dëgjojmë që lëndë të tilla si ‘TNT’, ‘Tanku’, ‘Titanik’, ‘Trajektorja’, ‘Тalir’ ‘Thesari’, ‘Target/Fortesa’, që po bien në ujë, një nga një çdo ditë e me rradhë.
Besa për neve nuk është çudi që dashuria e Ahmetit për Gruevskin është e madhe. Këtë e kemi kuptuar qysh moti dhe e kemi vërtetuar teksa vet ai deklaronte se Gruevski nuk është i keq, por të tillë e ka paraqitur propaganda mediatike, mirëpo duam që këtë dashuri të Ahmetit ta përkthejmë në parametra më të saktë.
Pra, duam të dijmë, Sa vite burg, ia ka falë Ahmeti Gruevskit me ndryshimin e kodit penal?
Sa para të qytetarëve janë vjedhur me kryerjen e këtyre veprave penale për të cilat sot Nikolla Gruevski po lirohet nga aktakuzat, e të cilat nuk ka për t’i kthyer kurrë?
A ia vlen barra qiranë, për këtë simpati ndaj Gruevskit dhe edhe sa do të jemi dëshmitarë të këtij flirti?
Të dashur qytetarë, ne ju sigurojmë se përgjegjësi do të ketë dhe se çdokush i cili ka penguar realizimin e drejtësisë do të mbaj përgjegjësi dhe do të jap llogari para ligjit dhe organeve të drejtësisë” – thonë nga LIDHJA EUROPIANE PËR NDRYSHIM, Fatmir Sabriu – Lëvizja BESA. /KlanMacedonia/