Në shumë qytete të botës janë zhvilluar protesta ku kërkohet fundi i luftës mes Hamasit dhe Izraelit
Ushtria izraelite vijon sulmet në Gaza. Shënjestra e rradhës e ushtrisë së Tel Avivit ishte një kamp refugjatësh ku humbën jetën të paktën 38 persona ndërsa u plagosën 100 të tjerë.
Zyrtarët shëndetësore bëjnë me dije se nga sulmet ajrore izraelite u shkatërruan edhe disa banesa në kampin e refugjatëve Maghazi në qëndër të Gazës.
Si pasojë e këtyre sulmeve shumë persona rezultojnë të zhdukur ndërsa punonjësit e kërkim-shpëtimit po përpiqen t’i gjejnë nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
Por rritja e numrit të viktimave ka shtuar thirrjet për armëpushim në Gaza.
Ministrat e Jashtëm nga Katari, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u takuan të Shtunën në Aman me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe i kërkuan Uashingtonit të bindë Izraelin që të pranojë një armëpushim.
Por diplomati i lartë amerikan Antony Blinken ka hedhur poshtë idenë e një armëpushimi, duke argumentuar se nga një vendim i tillë do të përfitonte vetëm Hamas, i cili mund të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri. Por thirrjet për armëpushim vijnë edhe nga protestues pro-palestinezë të cilët ditën e Shtunë organizuan protesta në qytete në mbarë botën, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës gati një mujore. Edhe në Uashington u mblodhën dhjetëra mijëra persona për të kundërshtuar politikën e luftës të presidentit Joe Biden. Këto protesta vijuan edhe këtë të Dielë.
“Jemi mbledhur për të treguar mbështetje për Palestinën, shpresoj që do të ketë paqe dhe konflikti do të mbarojë së shpejti.”
Që kur filloi lufta më shumë se 9,488 palestinezë kanë humbur jetën.
Klan News