Erërat e forta shkaktuan dëme të konsiderueshme në Anglinë Jugore, shkollat, aeroportet, trenat mbyllen
Stuhia ‘Ciaran’ godet Mbretërinë e Bashkuar dhe disa ishuj. Erërat e forta deri në 152 km/h dhe rrebeshet e fuqishme shkaktuan dëme të konsiderueshme në pjesën jugore të Anglisë.
Në Hampshire, Jersey dhe në Isle of Wight, stuhia’ Ciaran’ dëmtoi disa ndërtesa dhe solli rrëzimin e pemëve për shkak të erërave të forta. Met Office ka paralajmëruar për ndërprerje të fluturimeve. Në orët e fundit janë lëshuar mbi 130 paralajmërime për përmbytje ndërsa alarmi i kuq është shpallur në të gjithë Anglinë. Autoritetet i kanë bërë thirrje njerzve që të qëndrojnë në shtëpi pasi stuhia është nga më të fortat dhe përbën rrezik për jetën.
Dëme janë rregjistruar edhe në Skoci si dhe në ishujt pranë Kanalit të La Manshit. Britania e Madhe ka regjistruar përkohësisht Tetorin e gjashtë më të lagësht të regjistruar që nga viti 1836, me 82% më shumë shi se mesatarja e saj.
Rrugët, autostradat, shkollat dhe disa aeroporte janë mbyllur. Rreth 200 thasë me rërë janë vendosur përgjatë Jersey, ndërsa shërbimet portuale kanë pezulluar punën. Alarmi i kuq është ngritur edhe për Anglinë Lindore, Londrën, Juglindjen, Jugperëndimin, Veriperëndimin.
Nga frika se stuhia mund të vazhdojë për disa ditë, raftet e shumë supermarketeve janë zbrazur.
Autoritetet kanë këshilluar shoferët që të mos udhëtojnë drejt rajoneve ku është shpallur alarmi i kuq.
Ndërkaq stuhia Ciaran ka shkaktuar probleme edhe në Francën veriperëndimore. Alarmi portokalli është vendosur në Brittany, Normandi dhe Pays de la Loire pasi erërat e fuqishme deri në 170 km/h shkaktuan probleme duke thyer pemë dhe rrëzuar disa shtylla të tensionit të lartë.
Klan News