Studimi: Emetimi i gazrave serë mund të çojë në intensifikimin e fenomeneve ekstreme të motit
Emetimet e gazrave serë po kërcënojnë të kalojnë kufirin prej 1.5 gradë Celsius më shpejt se sa mendohej.
Kështu thuhet në një studim të ri të botuar në Nature Climate Change, në të cilin studiuesit theksojnë se kufiri i 1.5 gradë Celsius mund të shkelet vazhdimisht deri në vitin 2030.
Ata thonë se emetimet rekord të dioksidit të karbonit gjatë tre viteve të fundit janë një faktor kyç.
Pas një viti tepër të nxehtë me rekorde të vazhdueshme të vlerave termike, me muajin më të nxehtë, temperaturat për vitin 2023 në tërësi pritet të tejkalojnë këtë temperaturë duke u rritur ndjeshëm nxitur nga emetimet. Shkencëtarët janë të shqetësuar se së shpejti bota do të ketë emetuar mjaftueshëm gazra serë dhe do t’a ketë të pamundur që të mbajë nën kontroll temperaturat në këtë nivel për shumë më gjatë.
Shkencëtarët thonë se kufiri 1.5 gradë Celsius është një komponent kyç i premtimeve të bëra nga liderët politikë kur ata nënshkruan marrëveshjen e Parisit për klimën në 2015. Ata morën përsipër të mbanin rritjen e temperaturave globale shumë më poshtë se 2 gradë Celsius.
Jo vetëm kaq, por intesiteti i ndryshimeve klimatike do të bëhet edhe më i shpeshtë. Ekspertët paralajmërojnë se uraganet të kategorisë së pestë mund të jenë edhe më shumë të pranishme kryesisht në Bregun e Paqësorit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë një vizite në Nepal i bëri thirrje botës që të ndalë çmendurinë e ndryshimeve klimatike, kur vizitoi rajonet e Himalajeve që po përballen me shkrirjen e shpejtë të akullnajave.“Tavani i botës po bie. Akullnajat këtu në Himalaje furnizojnë me ujë mbi një miliard persona ndërsa tani kanë humbur një të tretën gjatë tre dekadave të fundit”, u shpreh Guterres.
Sipas studiuesve, nëse bota do të shmangë rritjen e temperaturave mbi 1.5 gradë Celsius, emetimet globale të dioksidit të karbonit do të duhet të arrijnë zero neto deri në vitin 2034. Me liderët globalë që do të takohen në COP28 në Dubai pas disa javësh, kjo analizë e re do t’i paraqesë ata me një këndvështrim të zymtë mbi urgjencën e krizës klimatike.
Klan News