Intensifikohet ofensiva tokësore e Izraelit

OBSH: Gaza në prag të katastrofës, mbipopullim dhe mungesë ushqimesh

Bombardime nga ajri dhe toka vijojnë pa ndalur në të gjithë Rripin e Gazës. Ushtria izraelite zgjeroi operacionet duke shkatërruar në total 300 objektiva të militantëve palestinezë, ndër të cilat edhe tunele nëntokësore.

Krahu i armatosur i Hamasit ka deklaruar se sulmoi tanket që po përparonin në veriperëndim të Gazës, duke eliminuar gjithashtu një forcë izraelite brenda një ndërtese. Jugu konsiderohet më i sigurt – por Izraeli vazhdon të synojë zonën ku tani janë shpërngulur rreth dy të tretat e popullsisë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se 8,525 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite që nga 7 Tetori përfshirë 3,542 fëmijë.

Ndërkaq Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim alarmues duke përmendur faktin se Gaza është në prag të një “katastrofe të shëndetit publik” për shkak të mbipopullimit, zhvendosjes së gjerë dhe dëmtimit të rëndë të objekteve të ujit dhe kanalizimeve. 940 fëmijë janë raportuar të zhdukur në Gaza sipas UNICEF duke shtuar se dehidratimi tek foshnjat tanimë është një kërcënim në rritje.

Dëshpërimi në mesin e banorëve është i madh ata bëjnë apel për ndihmë si dhe rikthimin e komunikimit në të gjithë Gazën.

“Ndërprerja e internetit dhe komunikimit konsiderohet si fatkeqësi humanitare. Si duhet të kontaktojmë me familjarët tanë? Si do ta dimë se kush jetoi dhe kush vdiq? Si duhet t’i arrijmë ata? Nuk ka rrjet e as internet. Ne kërkojmë nga të gjitha vendet – Elon Musk dhe të tjerët, çdo vend, çdo popullsi, të na ndihmojnë.”

Situata mbetet e rëndë edhe në spitale, ndërsa frika tanimë rritet edhe më shumë për shkak të ofensivës tokësore ku forcat izraelite po shtojnë sulmet. Operacionet për ata që janë plagosur zhvillohen në korridore për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë pësuar ambjentet e spitaleve.

“Jemi duke kryer operacione në korridore. Disa herë na është dashur të krijojmë hapësira dhe madje ndonjëherë në zonat e pritjes së spitalit. Problemi thellohet edhe më shumë kur energjia ndërpritet. Kjo do të thotë vdekje për shumë pacientë të cilët janë në gjendje kritike.”

OKB tek e cila qindra mijëra njerëz në Gaza mbështeten për shërbimet bazë ka bërë të ditur se 64 persona nga stafi i saj janë vrarë që nga fillimi i luftës numri më i madh i punonjësve të ndihmës të vrarë në ndonjë konflikt në mbarë botën.

Lufta po kërcënon të përhapet edhë në fronte të tjera. Izraeli dhe grupi militant i Hezbollahut kanë përshkallëzuar luftimet përgjatë kufirit. E rëndë mbetet situata edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku dhuna izraelito-palestineze është rritur gjithashtu. Dy palestinezë të tjerë u vranë nga të shtënat me armë të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, duke e çuar numrin e të vdekurve në territorin e pushtuar që nga fillimi i konfliktit aktual në Gaza në 124, ndërsa 1680 të tjerë janë arrestuar nga ushtria izraelite që nga 7 Tetori.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share