Ushtria izraelite intensifikon sulmet ndaj Gazës, Netanjahu kundër armëpushimit me Hamasin

Mes tymit dhe flakëve u zgjuan mëngjesin e kësaj të marte, banorët në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite kreu që prej natës mes të hënës dhe të martës bombardime të ashpra nga ajri, kryesisht në zonat veriore ku në shenjestër ishin bazat e Hamasit.

Paralelisht me goditjet nga ajri, ushtria izraelite zgjeroi operacionet edhe nga toka, duke shkatërruar në total 300 objektiva të militantëve palestinezë, ndër të cilat edhe tunele nëntokësore.

Sulmet tokësore hynë në ditën e katërt, teksa qeveria izraelite thotë se do i zgjerojë ato gradualisht derisa ato të shndërrohen në ofensivën e madhe të paralajmëruar hakmarrëse kundër Hamasit, për sulmin e befasishëm të 7 Tetorit në jug të Izraelit.

Ndërkaq, Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu hodhi poshtë çdo propozim për armëpushim.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara nuk do të pranonin armëpushim pas bombardimit të Pearl Harbourit ose pas sulmeve të 11 Shtatorit, edhe Izraeli nuk do të pranojë fundin e armiqësive me Hamasin pas sulmit të tmerrshëm të 7 Tetorit“.

Netanjahu tha se ndërhyrja tokësore në Gaza kishte krijuar mundësinë e lirimit të më shumë se 200 pengjeve të marra nga Hamasi.

Numri i viktimave palestineze ka arritur në mbi 8300. Sipas UNICEF, çdo ditë në Rripin e Gazës vriten 420 fëmijë, ndërsa fëmijët përbëjnë 40% të numrit të përgjithshëm të viktimave të më shumë se 3 javëve luftime.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share