SYNIMET: REFORMAT EKONOMIKE, SUNDIMI I SË DREJTËS, ADERIMI NË BE!
Katër muja e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, parlamenti malazez mbrëmë zgjodhi qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i Lëvizjes “Evropa tani”, Milojko Spajiq. Për qeverinë e re votuan 46 deputetë, kurse 19 ishin kundër.
Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.
Kryeministri malazez Spajiq premtoi se Qeveria tërësisht do ta zbatojë pakon e reformave “Evropa tani 2”, që nënkupton rritjen e pagës mesatare në 1.000 euro.
“Do të punojmë me përkushtim për reformat ekonomike, përmirësimit të standardit jetësor, sundimit të së drejtës dhe aderimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në BE. Në zgjedhje qytetarët dërguan një mesazh shumë të rëndësishëm. Duan ndryshimin e paradigmës politike. Ndasitë sociale dhe tensionet etno-nacionale që fatkeqësisht ishim dëshmitarë viteve dhe dekadave të kaluara, ndoshta edhe sot, duhet t`i lëmë pas vetes” – tha Milojko Spajiq, kryeministër i Malit të Zi.
Përvec partisë “Evropa tani”, qeveria e re përbëhet nga partia Mali I Zi Demokratike, Partia Socialiste Popullore dhe koalicioni I partive shqiptare.
Shqiptari Nik Gjeloshaj do të jetë zv/Kryeministër për Politikat Ekonomike, si dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik. Fatmir Deka është emëruar ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve, kurse Marash Dukaj ministër për Administratën Publike. /KlanMacedonia/