Nëse nu do të kishim kandidatin tonë, para kandidati maqedonas do të kisha përkrahur kandidatin shqiptar – thotë Bilall Kasami në Klan Debat. Sipas tij, opozita e bashkuar do të garojë në zgjedhjet për president me kandidatin e saj. Ky kandidat, siç thotë Kasami, duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë shqiptarët.
“Ne flasim për një kandidat jo vetëm konsensual mes tre partive politike apo tre liderëve, por një kandidat konsensual të mbarë opozitës. Biles, unë e përmenda më herët që ne ftojmë të gjithë partitë shqiptare të përkrahin këtë kandidat… ne duam që të gjejmë një kandidat me të cilin nëse jo përkrahjen formale të BDI-së, të cilën jemi të sigurt se nuk do ta kemi sepse BDI tashmë e ka vendosur ashtu si në të kaluarën që të përkrahin kandidat maqedonas, pasi kalkulimet e tyre janë për interesa partiake, atëherë i bie që ne të kemi votat e votuesëve të BDI-së për një kandidat shqiptar. Për të pasur votat e gjithë shqiptarëve, ne do të duhet të gjejmë një kandidat që do të jetë i pranueshëm për gjithë shqiptarët”, tha Kasami.
Ai shtoi se opozita nuk bën kalkulime dhe se kandidati që ata do të ofrojnë, përveç se do të jetë i pranueshëm për gjithë shqiptarët, pse jo, sipas tij, të jetë edhe kandidati fitues e i votuar edhe nga maqedonasit dhe të tjerët sepse, siç thotë Kasami, nëse vendi dëshiron të jetë pjesë e BE-së, qytetarët duhet të jenë të gatshëm të votojë edhe një kandidat shqiptar, i cili mund të jetë më i miri në garë./KlanMacedonia