Hill: Herët të thuhet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pasuksesshëm

Është shumë herët të thuhet se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i pasuksesshëm, tha Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Hill tha se nuk e priste “suksesin e plotë” të negociatave dhe se pritja e tij ishte kthimi në tryezën e bisedimeve.

“Tani duhet të shohim [vazhdimin]”, tha ai.

Synimi i dialogut, siç thekson ai, është një zgjidhje politike që pret “dhënie e marrje” nga të dyja palët.

“A mund të arrijmë një situatë ku serbët në Kosovë të ndihen rehat dhe të kenë një lloj Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Dhe së dyti, a mund të arrijë Prishtina atë që dëshiron, që është një rrugë e qartë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, tha Hill.

Ai theksoi se sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë është pengesë e madhe për negociatat në Bruksel. Sipas tij, SHBA-ja është duke i monitoruar nga afër hetimet në Beograd dhe Prishtinë.

“Fokusi është të zbulohet saktësisht se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës. Dhe së fundi, të krijohen rrethana, ku kjo nuk mund të ndodhë më”, theksoi ambasadori amerikan.

/REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share