“Jam i shokuar, i kam dënuar sulmet ndaj Izraelit”
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara thotë se deklaratat e tij në Këshillin e Sigurimit për luftën mes Izraelit dhe Hamasit janë keqinterpretuar.
“Jam i shokuar nga keqinterpretimet, sikur unë paskam justifikuar aktet e terrorit të Hamasit. E kam dënuar pa mëdyshje aktet e tmerrshme të terrorit të 7 Tetorit nga Hamasi në Izrael. Kam thënë po ashtu tekstualisht “Shqetësimet e popullit palestinez, nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit”.
Megjithatë, ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara Gilad Erdan përsëriti këtë të mërkurë, qëndrimin e vendit të tij se Guterres duhet të japë dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm.
Diplomati izraelit akuzoi Sekretarin Guterres se bëri fajtor Izraelin për sulmin brutal të Hamasit më 7 Tetor.
Ajo që shkaktoi shpërthimin e retorikës mes zyrtarëve izraelitë dhe Guterresit ishte pikërisht kjo frazë e Guterresit, në fjalimin që mbajti në Këshllin e Sigurimit të OKB-së.
“E rëndësishme është të pranojmë se sulmet e Hamasit nuk erdhën pa shkak. Populli palestinez, prej 56 vitesh jeton mes një pushtimi mbytës”.
Ndërkaq, sipas prestigjozes Wall Street Journal, Izraeli ka rënë dakord të shtyjë nisjen e sulmit tokësor në Rripin e Gazës për momentin, në pritje të sjelljes nga Shtetet e Bashkuara të sistemin të mbrojtjes raketore për mbrojtjen e trupave të veta të stacionuara në rajon. Me këtë vendim synohet po ashtu të zgjatet periudha e furnizimit me ndihma humanitare për civilët palestinezë në Rripin e Gazës.
Tv Klan