Rama: Hendek financimi mes BE dhe Ballkanit

“Martesa më e vështirë por e vetmja që ia vlen”

I kënaqur që liderët e BE vendosën ta bëjnë samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, i kënaqur po ashtu me planin e ri të rritjes për rajonin tonë, por Edi Rama shfaqet gjithmonë i pakënaqur kur flitet për unionin kur fjala bie tek pabarazia financiare siç e quan ai mes asaj që përfitojnë vendet anëtare dhe ne, që jemi vende kandidate.

“Vetëm të mendoni që ne rrethohemi nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe fqinjët tanë që janë BE marrin 4517 Euro për frymë nga vetë BE, ajo që marrim ne E pa B është vetëm 138 Euro për frymë. Është një hendek shumë i madh që ne e mbushim me dashuri, me shpresë, me ambicje dhe me idenë shumë të qartë se nuk ka asnjë më të mirë që mund të lëmë pas për fëmijët tanë, por shpresoj fortë që ajo që presidentja dhe ky komision po punojnë fortë për të bërë do t’ia dalin me sukses sepse në fund të fundit fëmijët tanë nuk mund të trashëgojnë vetëm testamentin e dashurisë por dhe provën që kjo martesë është e vetmja që ia vlen të kesh”.

Gjithsesi Rama që ishte një nga folësit në samitin e organizuar nga Presidentja Von der Layen në Bruksel që bëri bashkë liderë nga të gjitha kontinentet, për të folur për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, është i vetëdijshëm se BE është rruga e vetme që duhet zgjedhur pavarësisht burokracive dhe vonesave që shoqërojnë këtë proces.

“BE është një krijesë mjaft e vështirë për t’u marr, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos e lënë të zërë dhe tensioni përpara se të zërë BE. Por ndërkohë është dhe dashuri e ashpër, është një rrugë që duhet ta përshkosh dhe merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera”.

BE e cilëson si martesën e duhur por të vështirë. E për ta bërë më të besueshëm për ata që e dëgjonin nuk nguron të sjellë eksperiencën personale me lidhjet dashurore të dështuara deri në gjetjen e bashkëshortes aktuale.

“Nuk ka asgjë që ia vlen më shumë se sa të afrohesh më tepër me BE dhe për ne shqiptarët që kemi jetuar një histori që na ka detyruar të bëjmë një sërë martesash të detyruara, na besoni kjo është martesa më e vështirë për t’u bërë por e vetmja që ia vlen të kërkohet. Po ju them nga eksperienca personale kam pasur disa dështime në martesë por pasi gjeta atë të duhurën dhe duke qenë i lumtur me të, besoj se kjo do të ndodhë dhe me Shqipërinë dhe të tjerët, që më së fundi kur ta gjejnë të martohet me BE”.

Në Bruksel, Kryeministri ka patur mundësi të takohet me komisionerin europian për zgjerimin dhe atë për bujqësinë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share