Një parti e re e serbëve në horizont, Lista Serbe para ndryshimeve

Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike, e cila do të veprojë në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër, me qëllim të “mbrojtjes së interesave të tyre”.

Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila është themeluar si alternativë ndaj Listës Serbe, nga Branimir Stojanoviq, aktivist politik nga jugu, dhe Millia Bishevac nga veriu i Kosovës.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, ishte deri më tani opsioni i vetëm politik që funksiononte në të gjitha mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

“Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale”, thotë Branimir Stojanoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Megjithatë, ai nuk deshi t’i zbulojë emrat e personave që, përveç tij dhe Bishevacit, do të kenë rol në këtë lëvizje.

“Për pak kohë do t’i mësoni emrat e disa njerëzve të rinj dhe të mjediseve të tjera [të banuara me shumicë serbe]. Do të shihni që është një nismë më serioze dhe më e gjerë, e cila nuk kufizohet vetëm te ne të dy. Larg kësaj, do të ketë shumë njerëz të rinj”, shprehet Stojanoviq.

Ai shton se disa prej atyre që do të jenë anëtarë të Lëvizjes Popullore Serbe, kanë marrë pjesë në politikë, e disa të tjerë, do të jenë të rinj.

Një nga themeluesit e Listës Serbe ishte edhe Branimir Stojanoviq, i cili pas largimit nga kjo parti, u bë “kundërshtar dhe kritik” i saj. Siç deklaroi vetë Stojanoviq, ai u largua nga Lista Serbe, sepse më nuk pajtohej me politikën e tyre.

Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, një komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.

Po atë vit, Millia Bishevac mori pjesë në zgjedhjet në Zubin Potok në veri të Kosovës me Iniciativën e tij Qytetare, Për Zubin Potokun, kur hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.

“Ne duam të ofrojmë një alternativë, të tregojmë se si duhet të jetë, jo vetëm të jemi kundër diçkaje, por të jemi në interes të njeriut të thjeshtë”, tha Stojanoviq.

Fytyra të reja edhe te Lista Serbe?

Derisa alternativat e reja politike serbe po afrohen, mediat lokale në gjuhën shqipe në Kosovë raportuan se Lista Serbe do të mbajë një kuvend të partisë në ditët në vijim, ku do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë një informacion të tillë sepse Lista Serbe nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve deri në publikimin e këtij teksti. Nuk ka pasur përgjigje as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me “ristrukturimin” e mundshëm të Listës Serbe.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share