436 palestinezë të vrarë nga bombardimet brenda natës

Gallant: Lufta kundër Hamasit mund të zgjasë me muaj

Nata e kaluar ka qenë ndër më të përgjakshmet e dy javëve të fundit për banorët e Rripit të Gazës.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 436 persona u vranë në pak orë bombardime të avionëve izraelitë, që goditën një numër rekord prej 320 objektivash të Hamasit në një natë të vetme.

Bombat goditën si rrallë herë në këto dy javë edhe jugun e Rripit të Gazës, ku rrallë herë ka qenë në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite.

Viktimat natës së kaluar e thellojnë në mbi 5 mijë bilancin tragjik të sulmeve izraelite të këtyre 2 javëve. Për banorët e Han Junusit, qytezës jugore të Rripit të Gazës, nata e kaluar ishte një prej më të vështirave të këtyre ditëve.

Tarek Salout: Erdhëm nga veriu, nga qyteti i Gazës se na thanë që këtu kishte më shumë siguri, por në të vërtetë, kjo ishte nata më e vështirë që kemi përjetuar.

Ministri izraelit i mbrojtjes Joav Galant tha se konflikti lufta mund të zgjasë me muaj, deri në shkatërrimin e plotë të Hamasit.

Sipas tij, sulmet ajrore janë vetëm fillimi, ndërsa Rripin e Gazës e pret një situatë edhe më e vështirë kur të nisë sulmi tokësor.

Autoritetet izraelite e shtuan në 222 numrin e pengjeve që sipas tyre, Hamasi mori në sulmin e befasishëm të dy javëve më parë në jug të Izraelit.

Sipas tyre, numri po rritet pasi mes tyre ka shumë turistë të huaj, të cilët po identifikohen me kalimin e ditëve.

14 kamionë të tjerë me ndihma nga Egjipti hynë në Rripin e Gazës të Dielën duke e çuar në 34 numrin total të tyre.

Ndërsa Kombet e Bashkuara thanë se duhen shumë më tepër, teksa kriza humanitare në territoret jugperëndimore palestineze është shumë e rëndë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share