Parlamenti Europian kërkon sanksione për Serbinë

Parlamentit Europian ka aprovuar një rezolutë, ku i kërkohet  shteteve anëtare të Bashkimit Europian të vendosin masa kufizuese për Serbinë pas sulmit terrorrist të Banjskë. Në linjat kryesore të kësaj rezolute thuhet, se eurodeputetët po ndjekin nga afër hetimet në vazhdim për sulmin në Banjskë. Në këtë kuadër i bëhet thirrje Serbisë që të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit të Kosovës. Parlamenti Europian bën thirrje për të denoncuar të gjitha format e dhunës dhe aktet e provokimit. Ndërkohë, eurodeputetët kërkojnë nga Serbia dhe Kosova të punojnë në mënyrë aktive drejt zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve të udhëhequra nga dialogu.

Sipas eurodeputetëve qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme në lidhje me Kosovën dhe partnerët e saj perëndimorë. Në rezolutë  dënohet me gjuhën më tê ashpër sulmi i paprecedentë terrorist kundër policëve të Kosovës, të kryer nga paraushtarakët serbë më 24 shtator në veri të Kosovës. I bëhet thirrje Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian, që të miratojnë masa kufizuese ndaj Serbisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderëve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Por eurodeputetët kërkojnë që Kêshilli mos të kufizohet me këto masa.

Eurodeputetët i kërkojnë gjithashtu Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht janë duke banuar në Serbi, duke përfshirë lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë.  Sipas eurodeputetëve, sjellja agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe të dhënat e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën politike së fundmi në veri të Kosovës, tregojnë, se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por koherente në lidhje me Kosovën dhe BE-në.  Eurodeputetët janë gjithashtu të shqetësuar nga provat që lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb. “Nëse hetimi zbulon përfshirje të drejtpërdrejtë të shtetit serb në sulmet e 24 shtatorit, Komisioni duhet të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas Instrumentit për Ndihmën e Para-Aderimit III” shprehen eurodeputetët në rezolutë.

Tonino Picula: Të hiqen masat kufizuese ndaj Kosovës

 Eurodeputeti Tonino Picula, zëdhënësi i komisionit tê punëve tê jashtme të PE-së dhe negociator për rezolutën mbi kosovën dhe Serbinë ka deklaruar:

“Sulmi frikacak terrorist, të cilin ne e dënojmë me termat më të ashpër, është një moment vendimtar, i paprecedentë në kohët e pasluftës. Kjo kërkon pasoja të rënda politike, siç janë sanksionet e synuara kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Komisionit të BE-së që të ngrijë fondet e para-anëtarësimit të destinuara për Serbinë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt ose në sulmin terrorist të shtatorit ose në sulmet e mëparshme të dhunshme të majit në veri të Kosovës, ose nëse autoritetet serbe refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht”.

Eurodeputeti Picula shpreh keqardhje për sanksionet e BE-së kundër Kosovës dhe bën thirrje që ato të hiqen sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, i bëhet thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Erisa Zykaj – TvKlan, Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share