Kuqezinjtë thyejnë tabunë 73-vjeçare ndaj Bullgarisë, kërcënim serioz për stolin e rivalëve
Viti 2023 do të mbahet mend gjatë për përfaqësuesen shqiptare të futbollit. Trajneri Sylvinho duket se ka sjellë një frymë optimizmi, shoqëruar edhe me rezultatet fantastike në fushën e lojës. Në 7 takimet me brazilianin në pankinë, kuqezinjtë kanë koleksionuar 5 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, diçka që po e shtynë më shumë pranë historisë, kualifikimit në Europianin e vitit 2024. Fitorja në miqësoren ndaj Bullgarisë ishte e veçantë për kuqezinjtë, pasi përfaqësuesja jonë theu disa tabu të regjistruara në harkun e pak më shumë se 30 ditëve.
Përpos fitores ajo mposhti Bullgarinë pas 73 vitesh. Kuqezinjtë dominuam totalisht Bullgarinë, ndaj së cilës kishim fituar për herë të fundit me shifrat 2-1 më 4 qershor 1950. Vetëm pak ditë më parë fituan me Çekinë në ndeshjen eliminatore dhe hodhën një hap të sigurt drejt kualifikimit. Edhe kjo përballje ishte një tjetër forcë karakteri për kombëtaren shqiptare, e cila nën drejtimin e Silvinjos nuk njeh rival dhe kërkon të thyej tabu. Përballë çekëve, kuqezinjtë fituan pas 71 vitesh, teksa fitorja ndaj Polonisë pas 72 vitesh. Në total 3 tabu të thyera brenda pak ditësh nga ana e kombëtares shqiptare, ku arkitekt i saj është Silvinjo.
Praktikisht përballjet me Shqipërinë kanë ngrënë dhe koka trajnerësh, me trendin që pritet të vazhdojnë në orët e ardhshme. Fernando Santos u shkarkua nga stoli i Polonisë menjëherë pas humbjes në Tiranë ndaj kombëtares së Sylvinhos, teksa në dyshim për të ardhmen janë edhe Silhavy i Republikës Çeke dhe Krstajic i Bullgarisë. Shqipëria e Sylvinhos është hermetike në prapavijë, pasi ka pësuar vetëm dy gola, por edhe e bollshme në sulm, ku 13 gola janë të shpërndarë në disa lojtarë kuqezi.
Klan News