Biden: “Të dhënat” flasin se Izraeli nuk ka gisht në sulmin e spitalit, por…

“Pala tjetër fajtore për sulmin në spital”

Gjatë një konference për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Biden tha se “të dhënat” tregojnë se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin që i la qindra të vdekur në një spital në Rripin e Gazës të martën mbrëma.

I pyetur nga gazetarët në Tel Aviv të mërkurën se pse ishte i sigurt se Izraeli nuk qëndron pas kësaj, Biden tha: “Të dhënat që departamenti im i mbrojtjes m’i tregoi”.

Të mërkurën pasdite pas vizitës, Shtëpia e Bardhë tha se informacione e tanishme tregojnë se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spital, ku, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, u vranë rreth 500 njerëz të martën.

“Derisa ne vazhdojmë të mbledhim të dhëna, vlerësimi ynë i tanishëm, bazuar në analizat pamjeve nga lart, përgjimet dhe informacionet nga burimet e hapura, është se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spitalin e Gazës dje”, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Biden e vizitoi Izraelin në një përpjekje diplomatike që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë, një sfidë që është bërë më e vështirë pasi zemërimi u rrit në mbarë Lindjen e Mesme lidhur me shpërthimin në spitalin e Qytetit të Gazës.

Paraprakisht gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, Biden tha se shpërthimi duket se nuk u shkaktua nga Izraeli.

“Bazuar në atë që kemi parë, duket se [shpërthimi] u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, tha Biden gjatë atij takimi.

Por, presidenti amerikan tha se kishte “shumë njerëz atje” që nuk ishin të sigurt se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Biden tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se qëndron me Izraelin, “por, doja që të vija personalisht ta bëja të qartë këtë”.

Lideri amerikan tha se shteti i tij do të sigurohet që Izraeli të ketë mjetet e duhura për të vazhduar që t’iu përgjigjet sulmeve të militantëve të Hamasit.

“Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez dhe gjithmonë u ka sjellë atyre dhimbje”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi SHBA-në për mbështetjen. Po ashtu, ai sërish krahasoi militantët e Hamasit me grupin militant, Shteti Islamik (IS).

Fillimisht, Biden ishte paraparë të vizitonte edhe Jordaninë, por takimet e tij me liderët arabë janë anuluar teksa ai u nis nga Uashingtoni.

Pamje nga një sulm ajror izraelit në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, 16 tetor 2023.

Izraeli është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm tokësor të Gazës në përgjigje të sulmeve të grupit militant palestinez, Hamas.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, territor që kontrollohet nga Hamasi, tha se një sulm ajror izraelit goditi spitalin. Ushtria izraelite mohoi përfshirjen dhe tha se një sulm i dështuar me raketë nga grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik, ishte përgjegjës për sulmin. Megjithatë, ky grup ka mohuar përgjegjësinë.

Pas shpërthimit, Biden kishte thënë të martën përmes një deklarate se ishte “i zemëruar dhe thellësisht i pikëlluar nga shpërthimi në spitalin Al-Ahli në Gazë dhe për humbjen e tmerrshme të jetës si rezultat i shpërthimit”. Ai po ashtu tha se “kam udhëzuar ekipin tim të sigurisë kombëtare për të vazhduar mbledhjen e informacioneve lidhur me atë se çfarë ndodhi saktësisht”.

Protestat mbërthyen mbarë rajonin pas vdekjeve të raportuara në spitalin e Gazës, në të cilin po trajtoheshin palestinezët e plagosur dhe ku gjendeshin edhe civilë të tjerë që po strehoheshin nga luftimet.

Qindra palestinezë protestuan në qytetet kryesore në Bregun Perëndimor, përfshirë edhe në Ramallah. Protesta janë mbajtur edhe në Bejrut dhe Aman, ku turma të zemëruara u mblodhën para ndërtesave të ambasadave izraelite.

Njerëz duke u dërguar në spitalin Shifa, pas një sulmi ajror në spitalin e afërt Al-Ahli, në Rripin e Gazës, 17 tetor 2023.

Zemërimi për shpërthimin në spitali bëri që Bidenit t’i aludohej vizita në Jordani, ku Mbreti Abdullah II kishte planifikuar të ishte nikoqir i një takimi me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi. Por, Abbas u tërhoq nga takimi në shenjë proteste dhe më pas samiti u anulua.

Kirby tha se ishte një vendim i “përbashkët” i Jordanisë dhe SHBA-së për të anuluar takimet e presidentit Biden në këtë shtet. Ai tha se lideri amerikan do të ketë mundësi të bisedojë me liderët arabë përmes telefonit kur të kthehet në Uashington./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share