GJERMANIA ME MBËSHTETJE TË FUQISHME DHE INKURAJIM PËR RMV-në
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë, pas përfundimit të sesioneve të punës, ka realizuar një takim me Kancelarin gjerman, Olaf Sholc. Në takim është biseduar për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet në rajon.
Kancelari Olaf Sholc dhe Gjermania edhe një herë kanë inkurajuar dhe mbështetur Maqedoninë e Veriut për të realizuar hapin e radhës në rrugën drejt aderimit në BE, thonë nga Qeveria.
Kryeministri Kovacevski ka theksuar se vendi nuk guxon ta lëshojë këtë shans të papërsëritshëm dhe duhet të jepet vota për Evropën dhe se Maqedonisë së Veriut i duhet integrimi e jo izolimi, kurse vota në parlament për ndryshimet kushtetuese është votë për të ardhmen evropiane.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se përshpejtimi i proceseve integruese është në interesin e stabilitetit politil të sigurisë dhe ekonomik të të gjithë rajonit. Anëtarësimi në BE do të thotë zhvillim ekonomik dhe shoqëror, drejtësi sociale, demokraci, sundimi funksional i së drejtës, si dhe standard më të mirë jetësor”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Kryeministri Kovaçevski dhe Kancelari gjerman Olaf Sholc kanë biseduar edhe për aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh Gjermani – Maqedoni e Veriut. Gjermania mbetet një nga partnerët më të përkushtuar që u jep mbështetje shumë të madhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE – thuhet në komunikatën e Qeverisë./KlanMacedonia