Para luftës, ishte lagjia më e pasur në qytetin e Gazës, me dyqane, kafene dhe një pamje fantastike nga Mesdheu. Sot ajo është e mbushur me gërmadha pas bombardimeve të qeverisë së Izraelit, dhe siç raportohet e tillë do të jetë situata ndoshta dhe për muajt e ardhshëm.
“Lagjia e Rimal-it”
Banorët e Rimalit as nuk e kishin imagjinuar se pas kaq shumë kohësh, lagjia e tyre do ishte epiqendër konflikti. E ndodhur vetëm 3 kilometër larg qytetit, Rimal ka qenë gjithnjë një zonë mjaft e populluar.
Karam Maher, një 18-vjeçar banor i Gazës, tha për The Daily Telegraph: “Ne menduam se urdhri i evakuimit ishte një thashethem derisa një oficer policie izraelite thirri babanë tim dhe i tha atij se ne duhet të iknim sa më parë prej aty, ose do përfundonim të vdekur”.
Tashmë familja e tij dhe Karam janë vendosur në një hotel pranë Rimalit. Ai shton: Nuk dinim ku të shkonim, asgjë nuk është si shtëpia. Edhe këtu dëgjohen shpërthimet.
Bombardimet masive izraelite atje kanë shkatërruar rrugë që zakonisht do të ishin të mbushura me shitës ushqimesh ambulante, kanë shpërbërë blloqe të tëra apartamentesh dhe dëmtuar po ashtu një xhami e ndërtesë universiteti.
Kur shpërtheu lufta, për banorët gjithçka dukej surreale, ndërsa sot ata janë të vetëdijshëm se po jetojnë ditë makthi.
Në konfliktet e shkuara mes palëve, pavarësisht bombardimeve, grupi i Hamasit qëndronte në pushtet në këtë zonë. Por, me deklaratën e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duket se këtë herë do ndodhë ndryshe.
Me një taktikë të re, Izraeli po paralajmëron civilët që të evakuojnë të gjitha lagjet e Gazës, pasi sulmet ajrore do rrafshojnë çdo ndërtesë. Qeveria e Izraelit i ka ndryshuar ‘tonet’, pasi nuk po shqetësohet shumë për vdekjen e civilëve. E vetmja gjë që po bën aktualisht, është të paralajmërojë.
Edhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant është shprehur se do përdoret çdo masë për të eliminuar këdo që “lufton Izraelin”.
Nga ana tjetër, palestinezët nuk kanë ku të shkojnë.
58-vjeçari Hashem Abu Manea i cili humbi vajzën e tij të mitur ditët e fundit, thotë se askush nuk i paralajmëroi për predhat.
Gjendja është kritike, s’ka energji elektrike, ushqim të mjaftueshëm, naftë dhe as ilaçe.
Një mjek britanik, i cili është vullnetar në spitalin më të madh të Gazës, thotë se spitalet mund të shemben plotësisht deri në fund të javës nëse nuk arrihet një armëpushim.
SHBA po udhëheq bisedimet me Izraelin dhe Egjiptin për sigurimin e një korridori i cili do të shpëtonte 2 milionë palestinezë, ku gjysma e të cilëve janë nën 18-vjeç.
Kajro, një ndërmjetës i shpeshtë midis Izraelit dhe palestinezëve, thotë se një dakordësi mes palëve është e vetmja zgjidhje.
Dr Ghassan Abu-Sittah, i cili është palestinez, por u transferua në Angli në 1988-ën, thotë se ushtria izraelite synon lagje të tëra për t’i shkatërruar.
Në spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, i cili është në qytetin e Gazës dhe shpesh është pika qendrore e kujdesit në momentet e krizës, ka kaq shumë të plagosur sa që vetëm ata në gjendje më kritike mund të operohen, e të tjerët vdesin duke pritur nëpër korridore.
Për ata që nuk mund të qëndrojnë në hotele pasi ikin nga sulmet ajrore, spitalet dhe shkollat, janë bërë gjithashtu strehimore të improvizuara me qindra korridore dhe klasa të mbushura me njerëz.
“Asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza. Edhe shkollat e OKB-së janë në shënjestër”, thotë Afaf Al-Najar, një studente 21-vjeçare.
Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se katër shkolla të drejtuara prej tyre janë dëmtuar nga bombardimet izraelite, ndërsa 9 punonjës të OKB-së janë vrarë.
Ushtria izraelite ka goditur qindra ndërtesa në Rimal e Khan Yunis, që nga depot e armëve e deri te xhamitë. Thuhet se ata kanë në plan të shpërthejnë rrth 1 mijë ton eksploziv në Gaza, teksa deri tani raportohen rreth 900 palestinezë të vdekur.
“Më e keqja po vjen, të gjithë do të vdesim”, thotë një banor i Rimalit./tvklan.al