Presidenti u shpreh i bindur për mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, thotë se sfidë është ruajtja e unitetit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka marrë pjesë në një Samit të Liderëve Evropianë në qytetin spanjoll të Granadës.
Ai u shpreh para gazetarëve se detyra kryesore në takimet gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian është ruajtja e unitetit në Evropë përballë kërcënimit në rritje të Rusisë.
“Sfida kryesore që ne kemi është të ruajmë unitetin në Evropë. Dhe unë po flas jo vetëm për vendet në BE, por në të gjithë Evropën, mendoj se sfida më e madhe është ajo që do të kemi në të ardhmen, sepse Rusia do të sulmojë me dezinformata. Kjo është gjëja e parë. E dyta, është kaq e rëndësishme që Ukraina të ketë mburojë për dimër, sepse do të kemi shumë sulme nga lloje të ndryshme raketash ruse, duke përfshirë dronët iranianë, etj.”
Udhëheqësit evropianë të mbledhur në qytetin spanjoll pritet të sigurojnë Zelenskiy për mbështetjen e Ukrainës në plan afatgjatë pasi presidenti amerikan Joe Biden shprehu frikën se republikanët në Kongres mund të dëmtojnë politikën amerikane për vazhdimin e ndihmës për Kievin.
“Unë kam qenë në Uashington këtë vit dhe kam pasur një takim me Presidentin Biden dhe më ka siguruar për mbështetjen e tij 100 %, dhe të Shtëpisë së Bardhë, dhe gjithashtu mbështetjen nga Kongresi.”
Ndërsa shqetësimet rriten për të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së për Kievin, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është shprehur se ka besim në angazhimin e Uashingtonit për Kievin.
Klan News