Një shqiptar nga Kosova ishte i pari që rendi t’u japë ndihmën e parë pasagjerëve të autobusit elektrik të rënë tragjikisht nga një urë 10 metra e lartë, mbrëmjen e të martës në Venecia.
Bujar Buçaj, i cili tërhoqi vëmendjen e mediave italiane për humanizmin dhe guximin e shfaqur për të shpëtuar jetë njerëzish, rrëfeu në një intervistë për kanalin informativ TGCOM se askush nuk iu afrua për ta ndihmuar deri kur erdhën ekipet e emergjencës.
“Veprova i vetëm. Kishte edhe drejtues automjetesh që shkonin nëpër shtëpi. Shihnin por nuk vinin të më ndihmonin edhe pse unë thërrisja për ndihmë. Për fat, autobusi ende nuk kishte marrë flakë por kishte shumë tym”.
Bruçaj thotë se arriti të shpëtojë një fëmijë, duke hapur rrugën edhe për disa persona të tjerë që dolën nga mbetjet e autobusit të dëmtuar rëndë.
Nga hetimet e deritanishme ngrihen dyshime të forta se bateritë mund të kenë shpërthyer në flakë, duke ndërprerë energjinë elektrike e duke bllokuar sistemin e drejtimit dhe frenimit.
Në këtë tragjedi humbën jetën 21 persona, mes të cilëve edhe 2 fëmijë dhe u plagosën 15 të tjerë, të gjithë turistë të huaj, kryesisht nga Ukraina, Gjermania e Spanja që donin të vizitonin zonën historike të Venecias.
Tv Klan