PS-PD, dakordësohen për daljen me një rezolutë të përbashkët
Akti terrorist, i ndodhur në 24 Shtator në Banjskë të Kosovës nga një grup paraushtarak serb, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë, Afrim Bunjaku do të zbresë në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të posaçme në 12 Tetor. Pavarësisht ndasive që palët kanë, njëzëri, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që të diskutohet 5 orë për këtë çështje dhe të dilet me një rezolutë të përbashkët.
Bledi Çuçi: Të dalim me një rezolutë të përbashkët dhe të lëmë një seancë të posaçme të enjten që të diskutojmë këto rezoluta.
Gazment Bardhi: Do të bëhet çdo përpjekje që të arrijmë në një draft-rezolutë të përbashkët mes gjithë grupeve parlamentare. Republika e Shqipërisë do të duhet të jetë e unifikuar me Republikën e Kosovës.
Pavarësisht pikëtakimeve, duket se palët ndahen kur bëhet fjalë për kryerjen e hetimeve edhe nga ana e Serbisë.
Bledi Çuçi: Secili duhet të bëjë hetimet e veta, s’ka vetëm një hetim. Një hetim po e bën Kosova, një hetim duhet ta bëjë Serbia për çështjet që ka brenda shtetit të vet.
Gazment Bardhi: Duhet të ketë qenë një lapsus. Grupi parlamentar i PS duhet të tërhiqet që ne të pasqyrojmë qëndrimin e Serbisë në rezolutën tonë.
Tanimë në tryezën e grupit të punës ndodhen dy rezolutat e depozituara në kuvend, nga demokratët e socialistët në të cilat dënohet sulmi terrorist i ndodhur në veri të Kosovës, e ku Serbisë i kërkohet të heqë dorë nga qëndrimet armiqësore dhe luftënxitëse, të dorëzojë kriminelët e përfshirë në ngjarjen e 24 Shtatorit, të vlerësohet puna e policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi me KFOR-in si dhe të mbështeten institucionet e Kosovës.
Tv Klan