Tregtarët në Maqedoni shmangin pagesat me kartelë për t’i ikur provizionit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut gjithnjë e më shumë përdorin kartelat për pagesa madje edhe gjatë blerjeve në vlerë të ulët.

Tode Jovanovski, rreth të pesëdhjetave, shprehet i habitur kur shitësi në një dyqan në qendër të Shkupit i kërkon që ujin dhe cigaret t’i paguajë me para të gatshme, në të kundërtën nuk do të mund t’i marrë ato.

“Nuk është siç duhet asgjë në këtë shtet. Nuk e kuptoj pse duhet të anuloj blerjen pasi insistoj të paguaj me kartë dhe jo me para të gatshme. Nuk e kuptoj se pse më thotë se nuk e leverdis shitësin të përdorë aparatin për dy gjëra që kushtojnë 150 denarë (2.5 euro)” , thotë ai dhe largohet i nervozuar duke u nisur në një nga dyqanet më të mëdha që të blejë gjërat që i duhen, pasi edhe një herë kontrollon xhepat nëse ka para të imëta në ta.

Shitësi i cili identifikohet si Sunaj, thotë se taksat e larta bankare gjatë transaksioneve me kartela, bëjnë që gjatë shitjes së produkteve në sasi të vogla e vlera të ulëta, jo vetëm që s`ka fitim po madje të ketë edhe humbje.

“Në fund të ditës, në rastet kur klientët përdorin kartelat, del se ne duhet të punojmë për bankat. Pasi dallimi që fitoj për një produkt nga klientët, unë detyrohem ta paguaj si provizion për bankat. Prandaj, nëse pagesa nuk është më e lartë se 500 denarë (rreth 8 euro), atëherë nuk ia vlen të përdor POS Terminalin (aparatin për pagesë me kartelë)”, thekson ai.

Duke sqaruar për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se për një pako cigare fitimi është 3 për qind nga vlera e cigareve, por nëse paguhet me kartelë, atëherë fitimi nga ata 3 për qind shkon për shërbimin e përdorimit të pagesës përmes kartelave për bankat.

Edhe Stefani që menaxhon një floktari për burra në një lagje të Shkupit, thotë se për shërbimet e tij, u kërkon klientëve që të paguajnë me para të gatshme.

“Në dyqanin tim nuk bëj pagesë me kartela që të mos më rriten shpenzimet pasi unë jam tregtar i vogël dhe nuk kam leverdi të përdor POS Terminalin”, thotë ai.

(POS terminali është pajisja e përpunimit të pagesave të bizneseve të caktuara përmes kartave debit ose kreditore nga klientët, shërbim, për të cilin bankat marrin një provizion të caktuar).

Por, bankat arsyetohen se taksat për transaksione nuk janë të larta, por pas refuzimit të pagesave përmes kartelave, mundësohet ekonomia gri.

“Transaksionet me kartela mundësojnë pagesa të sigurta dhe të shpejta dhe rritje të efikasitetit dhe kursimeve në vetë pikat e shitjes, sepse reduktojnë njëkohësisht manipulimin e parave të gatshme, e me këtë edhe kostot e tyre”.

“Jo vetëm pagesat me kartelë, por në përgjithësi pagesat pa para, mundësojnë uljen e ekonomisë gri, sepse të gjitha transaksionet regjistrohen përmes llogarisë së pagesës”, thonë nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë së Veriut.

Duke u thirrur në të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, bankat nga tregtarët e vegjël që qarkullojnë rreth 1 milion denarë (rreth 16 mijë euro) paguajnë 0.8 deri 1.3 për qind për shërbimin e pagesës me kartela, varësisht nga veprimtaria që zhvillojnë.

Alaudin Zeqiri, njohës i çështjeve ekonomike thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo transaksion me para të gatshme hap mundësi për ekonominë gri.

“Në njëfarë forme, ekonominë gri e lufton pagesa me kartela për të evidentuar tatimet dhe format e tjera tatimore duke përfshirë dhe akcizën e produkteve që e kanë atë. Në ekonominë nacionale, sa herë mënjanojnë pagesat me kartela, kjo paraqet një gjenerator për të rritur ekonominë gri dhe këtu bëhet evazioni tatimor gjatë shitjes dhe qarkullimit të pagesave”, vlerëson Zeqiri./REL/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share