Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratojnë një buxhet afatshkurtër
Qeveria amerikane ka shmangur mbylljen e pjesshme të saj, pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati ranë dakord për një marrëveshje financimi afatshkurtër. Një projekt-ligj që financon qeverinë deri më 17 Nëntor, por nuk përfshin asnjë ndihmë të re për Ukrainën, u miratua në Senat me 88 vota kundër.
Presidenti Joe Biden e nënshkroi atë ligj disa minuta para afatit të mesnatës. Propozimi u paraqit nga kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili u tërhoq nga linja e ashpër e partisë së tij për një buxhet me plot shkurtime shpenzimesh.
Miratimi i këtij buxheti afatshkurtër u mbështet nga më shumë demokratë sesa republikanë, ishin rreth 90 republikanë që votuan kundër.
Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas votimit në Senat, Presidenti Joe Biden tha se “republikanët ekstremë të Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan të prodhonin një krizë ” dhe i kërkoi kryeparlamentarit McCarthy të lejonte që një marrëveshje e mëtejshme financimi për Ukrainën të kalonte pa vonesë.
Ai tha: “Ne në asnjë rrethanë nuk mund të lejojmë që mbështetja amerikane për Ukrainën të ndërpritet”.
Muaj më parë, Presidenti Joe Biden arriti një marrëveshje me zotin McCarthy për rritjen e tavanit të huamarrjes, e cila u firmos nga Presidenti, dhe që kërkon rreth 1.5 trilion Dollarë shkurtime shpenzimesh gjatë 10 viteve të ardhshme.
Ndërsa Republikanët e vijës së ashpër kërkojnë shkurtime më të thella, me rreth 120 miliardë Dollarë vetëm për vitin e ri fiskal, gjë që mund të ndikojë tek programe të tilla që nga arsimi dhe mbrojtja e mjedisit e deri tek kërkimet mjekësore.
Kjo është hera e katërt brenda një dekade që qeveria amerikane rrezikon mbylljen. Kjo mbyllje do të thotë pezullimin e mijëra punonjësve federalë nga puna, dhe ndalimin e të gjitha shërbimeve qeveritare.
Kjo ka ndodhur edhe më parë dhe nuk është diçka e pazakontë për SHBA. Mbyllja më e gjatë e qeverisë ndodhi nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të vitit 2019, kur demokratët kundërshtuan financimin për murin kufitar SHBA-Meksikë të propozuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump.
Të dy partitë ishin bllokuar në një ngërç për çështjet e emigracionit, duke çuar në një mbyllje pesë-javore. Ndërsa në vitin 2013, gjatë administratës Obama, disa ligjvënës republikanë konservatorë bllokuan zbatimin e Obamacare, duke çuar në një mbyllje 17-ditore të qeverisë.
Klan News