SHBA/ Dhoma e Përfaqësuesve miraton buxhetin e përkohshëm

Qeveria siguron financim edhe për 45 ditët e ardhshme

Vetëm pak orë përpara mbylljes së qeverisë së SHBA-së, Dhoma e Përfaqësuesve ra dakord për një marrëveshje financimi afatshkurtër për shërbimet federale.

Me votën dërmuese të demokratëve, Dhoma e Ulët miratoi një ligj të veçantë që mundëson financimin e qeverisë deri në fund të Nëntorit, por që nuk përfshin asnjë ndihmë të re për Ukrainën.

Gjithsesi edhe ky ligj para se të shkojë për dekretim tek presidenti, duhet të miratohet tashmë nga Senati, i cili nisur nga qëndrimi që mbajtën republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk pritet të hapë probleme.

Përpjekjet e përsëritura për të miratuar buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve janë penguar javët e fundit nga një fraksion rebel i ligjvënësve të krahut të djathtë, të cilët kanë kërkuar shkurtime të konsiderueshme, duke përfshirë edhe fondet për Ukrainën.

Por kjo dramë ka të ngjarë të përsëritet në 45 ditët e ardhshme, pasi mosmarrëveshjet themelore mbi nivelet dhe politikat e shpenzimeve të qeverisë midis republikanëve dhe demokratëve nuk janë zgjidhur.

Nëse nuk arrihej një marrëveshje për një buxhet të përkohshëm, atëherë më shumë se 4 milionë punonjës të qeverisë dhe pjesëtarë të shërbimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, nuk do të paguheshin, ndërsa pensionistët nuk do të merrnin në kohë pensionet.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share