Varhelyi: Ballkani të futet në tregun e brendshëm të BE-së para anëtarësimit

Takimin informal i 27 ministrave për çështjet europiane në Murcia të Spanjës shënon raundin e parë t të diskutimeve lidhur me qasjen e re të shteteve anëtare të BE-së mbi zgjerimin e kësaj organizate me 10 vende candidate, njofton korespodentja e Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj.

Ministrat kanë diskutuar mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së dhe mbi reformat e brendshme institucionale që Bashkimi Europian duhet të kryejë për të mirëpritur vendet aspirante.

Në përfundim të diskutimeve, rezulton, se nuk ka nevojë për një ndryshim traktati për të mirëpritur shtete të reja anëtare. Nga ana tjetër, duket se shtetet anëtare favorizojnë reformimin e brendshëm të BE-së paralelisht me procesin e anëtarësimit.

Komisioneri europian për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi ka deklaruar në përfundim të takimit, se paketa e re e zgjerimit, që do prezantohet në tetor, përmban një mënyrë të re të të menduarit për zgjerimin dhe do të përfshijë 10 vende kandidate ose vende me perspektivë evropiane. Sipas komisionerit, kjo paketë përmban instrumentat për një integrim të përshpejtuar, që për Ballkanin Perëndimor bazohen në katër shtylla:

Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerimin:
“Së pari, synohet stimulimi i reformave socio-ekonomike për të nxitur rritjen ekonomike që çon drejt përshpejtimit të rrugës së anëtarësimit të rajonit. Së dyti, ne duam të krijojmë mundësinë për t’i integruar gradualisht këto vende në tregun e brendshëm europian përpara anëtarësimit. Sepse kjo do të jetë në dobi të Bashkimit Evropian dhe të vendeve kandidate. Shtylla e tretë do të ishte forcimi i punës sonë lidhur me reformat për sundimin e ligjit dhe demokracinë, sepse këto nocione janë bazë për besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Dhe së katërti, ne duam të sigurojmë mjetet e nevojshme për të mbyllur hendekun ekonomik dhe social shumë përpara anëtarësimit përmes kontributit të përforcuar dhe kontributit financiar nga Evropa për të përshpejtuar të gjitha përpjekjet për reforma që këto vende po bëjnë”.

Sipas komisionerit Varhelyi, zgjerimi është kthyer tashmë në një nga tre prioritetet kryesore të Bashkimit Europian dhe kjo organizatë po kalon nga stadi i diskutimeve për këtë politikë në aksion. /Erisa Zykaj – Tv Klan, Bruksel/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share