Kryeministri Albin Kurti është pyetur nga media boshnjake “Istraga” lidhur me propozimin e homologut të tij shqiptar Edi Rama se “Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR”. Siç raporton ky medium, që thotë se biseda e plotë me Kurtin do të publikohet të dielën, Kurti ka deklaruar se kudo në shtetin tonë e para përgjigjet policia e pastaj KFOR e EULEX.
Gjithashtu Kurti është shprehur se “kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”, dhe kjo “formulë nuk duhet ndryshuar”.
I pyetur për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës, Kurti ka thënë: “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, ka thënë Kurti për “Istraga”.
Kryeministri Edi Rama ka thënë në konferencën e sotme për mediat se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s.