Greqia qendrore dhe jugore është mbërthyer nga moti i keq që ka sjellë stuhia e dytë e fuqishme këtij muaji “Elias”. Piloti i një helikopteri rezulton i zhdukur pas rënies së mjetit fluturues në veri të ishullit Eubea, ndërsa situata më e vështirë me përmbytjet është në Volos.
Ky filmim tregon momentet e rënies së një helikopteri civil në veri të ishullit Eubea në Greqi, paraditen e kësaj të Enjteje.
Piloti i një helikopteri rezulton i zhdukur pas rënies së mjetit fluturues në veri të ishullit Eubea, ndërsa shkak i rënies janë erërat e forta dhe shikueshmëria jo shumë e qartë si pasojë e motit të keq që ka sjellë me vete stuhia e fuqishme “Elias”.
Helikopteri po fluturonte drejt Volosit. Pikërisht, ky qytet dhe zonat përreth janë të goditurit më rëndë gjatë orëve të fundit nga përmbytjet masive që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.
Përmbytjet prekën çdo cep të qytetit, deri në qendër, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Deri më tani nuk flitet ende për të lënduar apo viktima.
Autoritetet po evakuojnë qytetarët nga zonat ku situata është më e vështirë, ndërsa thirrje u është bërë të qëndrojnë në katet e larta të ndërtesave. Pritet që stuhia e dytë e fuqishme e këtij muaji të sjellë vështirësi gjatë orëve në vazhdim edhe në të tjera zona të Greqisë jugore e qendrore.
Tv Klan