Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka quajtur tragjedi vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, nga terroristët serbë në sulmin në veri.
“Është tragjedi dhe vazhdim i politikës katastrofale ballkanike prej së cilës fatkeqësisht ne si rajon nuk mund të dalim”, ka thënë Abazoviqi në konferencë për media.
“Personalisht, e dënoj dhunën, vrasjen. Vërtet ishim që të gjithë të tronditur. Kjo situatë mundet lehtazi të kalojë në konflikt që do të kishte pasoja katastrofale për të gjithë”.
Abazoviqi bëri thirrje për pajtim midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se politika e viteve 1990-ta duhet të marrë fund.
“Mali i Zi i qëndron pranë asaj që e ka përfaqësuar deri tash, dhe mendojmë që politika e viteve 1990-ta duhet të marrë fund”.
“Popujt në këto treva kanë provuar gjithçka përpos pajtimit, andaj apeli i m është edhe ndaj popullit serb, edhe ndaj popullit shqiptar”.
“Provoni një herë pajtimin. Ju keni provuar gjithçka, përpiquni të pajtoheni, besoj se do t’ju pëlqejë të gjithëve. Të gjithë do të jenë mirë. E garantoj se do të jetë kështu”.